.

E PAPRITUR/ ‘Kënga Magjike’ rikthen West Side Family pas 11 vitesh, ja kush e zëvendëson Dr. Florin


Duket se surprizat nuk kanë fund këtë edicion të 20 të festivalit ’Kënga Magjike’.

Më e fundit vjen nga grupi i njohur shqiptar West Side Family, të cilët rikthehen pas 11 vitesh që nga kënga ‘Nëse mundesh’.

Mirëpo surpriza e vërtetë vjen nga djemtë, të cilët kanë vendosur që pjesë e grupit të tyre në këtë këngë të jetë vëllai i Dr. Florit, Alban Kondi.

Lajmin të ditur e ka bërë Anabel.al, për të cilën Albani ka treguar sesi e mori këtë vendim.

‘Nuk e kisha fare në mendje. Së bashku me Elgit Dodën, po punonim për disa artistë që do të marrin pjesë në festival si Xheisara apo Olsi Bylyku dhe ishim përqëndruar tek ta. Ndërkohë Landi dhe Miri po mendonin të merrnin pjesë dhe ndërsa unë me Elgitin po punonim për këngën e tyre ‘7 ditë’, aty për aty u vendos dhe pjesëmarrja ime’, u shpreh Albani.

Më tej, ai ka shtuar se kjo zgjedhje do të jetë provizore, pasi të gjithë e kanë mundësinë të jenë pjesë e grupit.

‘Unë e kam diskutuar shpesh me Landin dhe Mirin që West Side Family tashmë është një brand, është një familje që mirëpret këngëtarë të ndryshëm. Sot jam unë, nesër do të jetë dikush tjetër’, përfundoi Albani.

Kujtojmë që Dr. Flori u nda nga jeta në 17 Nëntor të vitit 2014, duke lënë pas dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë të vogël, i cili kishte vetëm disa javë që kishte lindur.

Alban Kondi, vëllai i Dr.Florit