.

Biznesmenin e rikthejnë në burg, i biri akuzon gjyqtarët: Nxorën sekretin, nga mesazhet në ‘WhatsApp’ provohet se…


U lirua me garanci pasurore, Apeli rikthen në burg biznesmenin e njohur.

Pëllumb Petritaj, i akuzuar për tjetërsim të rreth 100 hektarëve tokë në Zvërnec, është kthyer në qeli pas 6 muajsh hetim në gjendje të lirë. Gjykata e Apelit, pas disa muajsh shtyrje seancash gjyqësore në ngarkim të tij, ka marrë vendim për 55- vjeçarin.

Në seancën e radhës gjyqësore të mbajtur ditën e hënë, prokurori Albert Kuliçi, i cili kishte kundërshtuar vendimin e dhënë në maj të këtij viti, kërkoi ndryshim të masës nga garanci pasurore në arrest në burg. Pas kërkesës së prokurorit, trupa gjykuese e përbërë nga kryesues, Atalanta Zeqiri dhe anëtarë Skënder Haluci dhe Albert Spiro, vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg”, duke pranuar kërkesën e prokurorit.

Ndërkohë, arrestimi i tij nga Policia është kundërshtuar nga familjarët, të cilët e kanë cilësuar të paligjshëm. Familja ka depozituar një kallëzim penal për treshen e gjyqtarëve, pasi sipas tyre prangosja e 55- vjeçarit është kryer para dhënies së vendimit. Pëllumb Petritaj u arrestua në tetor 2018, ndërsa akuza që rëndonte mbi të ishte ajo e falsifikimit të dokumenteve për tjetërsim pronash në bregdet.

Petritaj akuzohet për përfitimin në mënyrë të jashtëligjshme të rreth 100 ha tokë në afërsi të Zvërnecit dhe më konkretisht pranë fshatit Akërni të Vlorës. Rreth 7 muaj pas prangosjes, biznesmeni i njohur kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, ku në maj të këtij viti, Gjykata pranoi që të hetohej në liri përkundrejt një garancie pasurore prej 2.5 milionë lekësh të rinj. Por, kur vendimi u apelua nga Prokuroria, duke kërkuar rikthimin në burg të Petritajt, në seancën e radhës Prokuroria ka kërkuar sërish masën e sigurisë “Arrest në burg”, kërkesë e cila është pranuar në datë 12 nëntor nga Gjykata e Vlorës, duke rikthyer kështu në burg biznesmenin e akuzuar për tjetërsim prone në bregdet përmes falsifikimit të dokumenteve.

LETRA

I biri i biznesmenit, Amarildo Petritaj, akuzon se urdhri për arrestimin e të atit është kryer para se Gjykata e Apelit të merrte vendim. Ai pretendon se ndërsa po zhvillohej seanca dhe nuk ishte marrë vendim, oficerët e Policisë Gjyqësore kishin arrestuar babain e tij.

“Në orën 11:00 është caktuar seancë gjyqësore ndaj tim ati, avokat i të cilit është caktuar Eduart Vecani. Ndërkohë që po zhvillohej seanca, nga avokati jam njoftuar se nga ana e prokurorit ishte kërkuar ndryshimi i masës së sigurimit në arrest në burg, ndërkohë që nga avokati jam njoftuar për këtë kërkesë të prokurorit, nga ana e forcave të policisë ishte ekzekutuar arresti në burg, në dijeninë time pa u shpallur ende vendimi i Gjykatës.

Pra, nga ana e trupit gjykues është komunikuar me oficerët e Policisë Gjyqësore, duke shkelur fshehtësinë e dhomës së këshillimit dhe nga ana e forcave të Policisë janë kryer veprime në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, duke kryer veprat penale të shpërdorimit të detyrës.

Sa më sipër provohet nga mesazhet në ‘WhatsApp’ të ndodhura në telefonin tim dhe seanca e regjistruar në serverët e Gjykatës, ku del mjaft qartë se vendimi është shpallur mbas ekzekutimit të vendimit. Arrestimi është kryer në orën 11:42, ndërsa vendimi është dhënë në orën 11:55″, shkruan i biri i biznesmenit në kallëzimin ndaj trupës gjykuese./panorama