.

“Nuk kam asgjë për të fshehur”, Meta me tone të ashpra: Nëse kapet Gjykata Kushtetuese politikisht, atëherë qytetarët…..

Presidenti i Republikës Ilir Meta në një konferencë të gjatë për mediat, e cila u karakterizua me tone të ashpra, u ndal gjatë duke iu përgjigjur interesit të mediave për procesin e zgjedhjeve të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, ngritja e Gjykatës Kushtetuese, është edhe një nga kushtet e Bundestagut gjerman për çeljen negociatave me BE-në. Kreu i Shtetit theksoi se ai nuk ka asgjë për t’i fshehur poullit shqiptar, por do punojë fort që të mbrojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Pjesë nga fjala e Metës:
Presidenti është ai që kërkon zgjidhje dhe jo përplasje. Është presidentit që të hënën i ka kërkuar Kuvendit të ushtrojë kompetencat e tij ligjore. Ky është një kusht i Bundestagut. Në këtë drejtim presidenti ka ofruar vetëm bashkëpunim dhe i ka kërkuar kuvendit të respektoj Kushtetutën. Nuk ka shtet mbi Kushtetutë, nuk ka fuqi mbi Kushtetutën, për tjerët ndoshta po, por për mua jo, sepse kam vënë dorën mbi Kushtetutë. Unë do jem deri në 24 korrik, por do të vijnë të tjerë pas. Nga ana ime nuk ka përplasje, por vetëm bashkëpunim dhe do t’i keni letrat tona se çfarë i kemi kërkuar KED dhe Kuvendit.

Shkodra e Vora janë pa kryebashkiak, a do të caktoni një datë zgjedhjesh?
Presidenti ishte sot këtu për t’u treguar se nuk ka pasur gjë më të rëndësishme në 2 apo 3 vitet e fundit se krijimi i Gjykatës Kushtetuese. Ndërkombëtarët nuk paguajnë që të kapet drejtësia dhe institucionet, sepse kjo do të thotë për ta më shumë krim, më shumë azil dhe potencial të shtuar për destabilitet në këtë vend dhe në këtë rajon. Deri tani, të gjitha përpjekjet në raport me KED dhe Kuvendin kanë qenë për të mos patur një situatë të tillë. Nga ana e presidentit ka pasur përpjekje parandaluese.

Kur do t’i thërrasë presidenti anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për betim?
Presidenti është i qartë në të gjitha veprimet e tij dhe është në atë lartësi që e ka detyruar vendosja e dorës mbi Kushtetutë. Presidenti nuk ka asgjë për të fshehur para gjithë popullit shqiptar, aq më tepër për këtë çështje, sepse Gjykata Kushtetuese është në interes të popullit shqiptar. Nëse kapet Gjykata Kushtetuese politikisht humbet çdo mundësi dhe e drejtë që të garantohet e drejta e qytetarëve shqiptarë. Ky është i vetmi shqetësim që kam.