.

“Duke parë duke bërë”, Arta Marku prezanton veten para KLP.Ja çfarë deklaron për eksperincën e saj

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku kërkon një mandat tjetër në këtë detyrë dhe sot ka dalë para Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të prezantuar veten dhe më pas për t’u intervistuar nga Këshilli që nesër pritet të bëjë edhe vlerësimin dhe renditjen përfundimtare të tre kandidatëve për PP.

Në fillim të seancës së intervistimit, Marku u pyet nga kreu i KLP Gent Ibrahimi nëse do të ishte e gatshme t’u përgjigjej pyetjeve të disa ekspertëve ndërkombëtarë në gjuhë të huaj apo do përgjigjet në shqip dhe përgjigjja e saj ishte “duke parë duke bërë”, gjë që me sa duket ka ngjallur reagime tek ekspertët e huaj.

Më pas ajo ka folur për jetën e saj, edukimin dhe punën si prokurore duke deklaruar se ka një eksperiencë të mirë si në hetimin e veprave të ndryshme penale edhe në koordinim.

“Është nder dhe privilegj që jam pjesë e kësaj gare që zhvillohet për herë të parë në këtë formë. Kam lindur në 76 në Lezhë dhe fëmijërinë time e kam kaluar në Lezhë, Shkodër, Pukë për shkak të profesionit të babait tim. Kam dy vajza 9 dhe 3 vjeç, bashkëshorti im është oficer i policisë gjyqësore. Kam mbaruar studimet e larta për drejtësi në 99 në UT. Kam konkurruar në shkollën e magjistraturës, jam diplomuar në vitin 2002. Stazhin e kam kryer në Prokurorinë e Fierit. Më pas jam emëruar në Prokurinë e Shkodrës. Deri në maj 2009 kam ushtruar funksionin e prokurorit. Kam fituar një eksperiencë të mirë për shkak të hetimit të veprave të ndryshme penale. Kam punuar në një rreth aspak të lehtë. Nga maji 2009, unë jam caktuar si drejtuesja e njësisë së përbashkët hetimore në Shkodër dhe më pas zv.drejtuese deri në janar 2016, moment kur kam dhënë dorëheqjen. Funksioni im ka qenë të drejtoj, kontrolloj punën e njësisë së përbashkët hetimore. Kam fituar eksperiencë të mjaftueshme në koordinimin e veprimtarisë së njësisë.
Dhjetor 2017 iu përgjigja Kuvendit për postin e PP përkohësisht. Pata kurajën të bëhem pjesë e garës, e dija që nr. kandidatëve do ishte i kufizuar për shkak të kritereve ligjore. Periudhë e mjaftueshme për të fituar një eksperiencë të mirë. Ka qenë një periudhë jo e lehtë, sistemi ishte në reformim të thellë. Vitin e parë të punës nuk ka pasur as KLP, ka qenë një terren aspak i lehtë. S’mund të kesh rezultate nëse mungojnë disa hallka të sistemit, e me kompetenca të kufizuara”, tha Marku.
Dy kandidatët e tjerë që kërkojnë postin e Prokurorit të Përgjithshëm janë Olsjan Çela dhe Fatjona Memçja./BW