.

Presidentja e Komisionit Evropian: Projekte të përbashkëta për të lidhur më shumë vendet e Ballkanit me BE-në


Maqedonia dhe Shqipëria kanë bërë përpjekje të mëdha për të siguruar hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, tha Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të premten, duke nënkuptuar kundërshtimin ndaj vendimit të Francës për të vënë veton për hapjen e bisedimeve për dy vendet.

Von der Leyen foli për gazetarët pas bisedimeve në Berlin me kancelaren Angela Merkel, e cila tha se ishte “çështje” interesit jashtëzakonisht të rëndësishëm strategjik evropian “që të dy vendet të kenë një perspektivë anëtarësimi.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përpjekje të pabesueshme për të arritur këtë“, tha Von der Leyen. “Për sa kohë që nuk është e mundur, unë do të bëj gjithçka për të zhvilluar projekte të përbashkëta që lidhin vendet e Ballkanit Perëndimor më afër me ne. Nëse ne nuk e bëjmë, do ta bëjnë të tjerët”.

“Euractiv” shkruan se Franca, Danimarka dhe Holanda bllokuan hapjen e procedurës.

“Unë besoj plotësisht se është me rëndësi të madhe strategjike që Ballkani të lidhet sa më shumë të jetë e mundur me Bashkimin Evropian,” tha von der Leyen.

Të enjten, von der Leyen konfirmoi që kandidati hungarez Oliver Varhelyi do të mbikëqyrë politikën e zgjerimit. Letra e tij për misionin përfshin një referencë të qartë për të siguruar që ofertat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk do të lihen jashtë “radarit” të BE-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron vuri veton ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së në një samit të fundit në Bruksel, duke thënë se procesi i pranimit duhej të reformohej.