.

“Qetësohu! Të papunë, gjithollog”, Ja përplasjet e Ramës me Andi Bushatin në Open

 

Ashtu siç ndodh shpesh herë edhe ndërhyrja kryeministrit Edi Rama në emisionin “Open” në Top Channel nuk ka kaluar pa përplasje me gazetarët. Të papunë, të painformuar dhe gjithollog ishin disa nga fyerjet e Ramës për gazetarët në studio, ndërsa moderatores Eni Vasili iu drejtua disa herë duke i kërkuar që të “qetësohej”.

“Ata të papunët këtë punë kanë”, tha Rama për të ftuarit në studio, ndërsa analisti Andi Bushati iu kundërpërgjigj: “Më mirë me të papunët se me drogaxhinj!”

“Të gjithë krerët e shteteve të BE u thonë (shqiptarëve) se ky është një problem i brendshëm dhe nuk ka të bëjë me ju, ndërsa ‘gjithollogët’ vazhdojnë me avazin se kjo është një çështje që lidhet me ne”, ishte një tjetër moment kur Rama sulmoi gazetarët.

Pjesë nga debati

Edi Rama: E kam bërë unë këtë debat drejtpërdrejtë me presidentin e Francës dhe nuk e di unë, çfarë prisni ju të thotë ai kur i flet elektoratit francez. Unë di këtë, që nuk ka lidhje fare liberalizimi i vizave me negociatat

Andi Bushati: Macron përmend azilantët e Shqipërisë. Pra manipulon duke përmendur azilantët shqiptarë.

Rama: Eni të lutem të mos kem interferenca nga zëra të pa informuar. Ky është një qëndrim që nuk ka lidhje me çështjen e vizave dhe negociatat…

Bushati: Është një debat që duhet bërë qetë dhe jo me ton ironie.

Rama: Kush është ky zëri që më interferon? Unë jam i qetë, por edhe pasionant. Ajo  që sot është evidente është që Presidenti i Këshillit Evropian jo vetëm që duan t’i thonë po Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që në mikrobotën shqiptare vazhdohet me propagandën bajate se kjo lidhet me qeverinë. Po të mos i kishim bërë detyrat nuk do të kishim marrë Po-në e Gjermanisë.

Eni Vasili: Po me 9 kushte.

Rama: Qetësohu! Për çfarë u votua në Bundestagun gjerman kur kjo nuk ishte po. Janë 999 kushte që duhen përmbushur deri në anëtarësim në BE dhe përsëri varet nga dinamikat e brendshme. Varet nga politika dhe jo nga teknologjia e integrimit. Komisioni Evropian është struktura që bën vlerësimin teknik. Kur çështja shkon në nivelin politik nuk është thjesht lexim i raportit të komisionit. Franca ka interesat e veta.

Vasili: Kur Shqipëria do t’i plotësojë 9 kushtet?

Rama: Së pari nuk janë nëntë. I keni lexuar gabim…

Bushati: E bëri si ERTV-ja.

Vasili: Bushati këmbëngul të bëjë një pyetje.

Rama: Ata të papunët këtë punë kanë.

Bushati: Më mirë me të papunët se me drogaxhinj!