.

Greqia bllokon specat dhe kungujt nga Shqipëria, ja shkaku


Autoritetet kufitare greke kanë njoftuar sekuestrimin e një ngarkese të madhe specash dhe kungujsh që eksportoheshin nga Shqipëria. Shkak për sekuestrimin u bë fakti se perimet kishin sasi të madhe të pesticideve.

Në të dy rastet, u gjetën mbetje insekticide, të cilat te specat ishin 0.098 miligram për kilogram dhe në kungullin e njomë 0.024 miligramë për kilogram.

Kapja e këtyre ngarkesave me perime nga autoritetet greke, ka bërë që ato të mos mbërrijnë tek konsumatorët e Shteteve Anëtare të BE-së. Ky rast është njoftuar nga autoriteti ushqimor i shtetit fqinj në 9 tetor, i cili u përshkrua si problem shumë serioz.

Sistemi i paralajmërimit për ushqimin e pasigurt (RASFF), u krijua katër dekada më parë dhe është “mjet” që përdor BE, për shkëmbimin e shpejtë të informacionit midis autoriteteve kombëtare, rreth rreziqeve shëndetësore që lidhen me produktet ushqimore.

Në deklaratat e bëra nga z. Georgios Polychronakis, Këshilltar Special i Shoqatës Incofruit – Greqi, tha:

“Ne mirëpresim aktivizimin e autoriteteve greke dhe konfiskimin e dërgesave të rrezikshme të perimeve për import në Greqi. Vitet e fundit, raste të ngjashme të pezullimeve të ngarkesave të frutave dhe perimeve që importohen ose kalojnë nëpër vendin tonë janë të ulëta, në kundërshtim me punën e autoriteteve bullgare të inspektimit. Ne besojmë se të njëjtët mekanizma kontrolli, do të veprojnë për të mbrojtur reputacionin e prodhimeve të eksportuara, të papërpunuara, ose të eksportuara direkt nga produktet greke”.