.

“Tip problematik dhe rrinte i armatosur”/ Iu vra djali për ish të dashurën, ja dëshmia e nënës

Dritani Haxholli doli në orën 22:00 të mbrëmjes së djeshme nga banesa, për mos t’u kthyer më kurrë. Por nëna e tij e moshuar, me të cilin ai jetonte nuk ishte shqetësuar, pasi ky ishte një ritual i zakonshëm tashmë për të birin e saj 41-vjeçar, i cili u vra pak pas mesnate në Kavajë pas një sherri për ish-të dashurën. Nëna e tij jashtë kameras ka pohuar se lajmin e kobshëm e kishte mësuar nga televizori.

“Dritani u largua rreth orës 22:00 nga banesa dhe nuk u kthye më”, pohoi nëna. Ajo nuk ishte shqetësuar për këtë fakt se daljet për të kanë qenë të zakonshme. Ajo e ka dëgjuar lajmin e rëndë në TV dhe aty ka dhënë kujën”.
Sipas familjarëve të 41-vjeçarit, ky i fundit kishte qenë për shumë kohë në burg në Greqi dhe Shqipëri, për drogë, ndërsa theksojnë se ai kishte temperament të vështirë.
“Dritan Haxholli ka qenë në burg në Greqi dhe në Shqipëri për shpërndarje të lëndëve narkotike. Familjarët deklaruan se marrëdhënia me Marsidën ka qenë një veç lidhje pasioni dhe jo serioze, pasi ai nuk ia kishte prezantuar atyre, pasi ajo ishte e martuar. Ata shprehen se Dritani ishte tip problematik dhe konfliktual dhe rrinte i armatosur. Më herët ai ka qenë i martuar dhe është divorcuar, ndërsa ka një vajzë 13 vjeçe që jeton me nënën e saj. Por ata nuk prisnin që kjo ngjarje të ndodhte, përsa kohë që lidhjen me Marsidën nuk ishte serioze” thonë burime për News24.
Ndërkohë që familja ka hapur dyert e mortit, trupi i pajetë i 41-vjeçarit nuk ka shkuar ende në banesë pasi po i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth orës 01:00 në lagjen nr.2 në Kavajë, ku Haxholli hyri në banesën e ish-të dashurës dhe qëlloi me armë policin Bledar Toçi, ky i fundit mbeti i plagosur. /Balkanweb