.

Video/ A do të rikheheni në krye të LSI? Ja si përgjigjet Meta në Open

 

Ilir Meta dha një intervistë ekskluzive për Open në Top Channel. Meta tha se nuk do të kthehej kurrë më në krye të partisë që ai vetë ka themeluar, Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Pjesë nga intervista

Gazetarja: Në mos gabojë keni thënë që ka qenë vendimi juaj politik më i mirë themelimi i LSI-së. Nuk e konsideroni më kështu?

Presidenti Meta: Unë po flas si President, nuk po flas si Ilir. Si President për mua LSI-ja është si 50 parti të tjera të Shqipërisë.

Gazetarja: A duhet besuar kjo po të kemi parasysh se e keni drejtuar, ka qenë partia që ju e keni themeluar, e keni dashur, e keni rritur, i keni dhënë rezultate shumë të mira?

Presidenti Meta: Unë prandaj jam kaq i qartë dhe i ftohtë në këtë raport, sepse unë kam dhënë gjithçka për LSI-në kur kam patuar ato detyrimet e mia ndaj LSI-së. Tani LSI-ja të eci vetë.

Gazetarja: Sepse duket e pakuptimtë dhe e vështirë për t’u kuptuar edhe nga teleshikuesit, kur ju thoni për shembull opozita është e papërgjegjshme, po të kemi parasysh që gjysmën e opozitës e keni në shtëpi? Një nga partitë kryesore, drejtohet nga bashkëshortja juaj.

Presidenti Meta: Unë mendoj që nuk duhet të ngatërrojmë çështjet e sjelljes publike me raportet personale apo me raporte familjare. Ato janë zgjedhje të LSI-së, mban përgjegjësi vetë LSI-ja, e gjykon populli shqiptar, e gjykon qytetari shqiptar. Qëndrimet e mia janë plotësisht të sinqerta, tërësisht të përgjegjshme dhe ky lloj debati nuk mund të spostojë kurrsesi vëmendjen nga përgjegjësitë, që ka qeveria për mbarëvajtjen e vendit, për mbarëvajtjen e institucioneve demokratike, për përgjegjësinë që ka maxhoranca për të garantuar standardet më normale, demokratike të funksionimit të Kuvendit, të marrëdhënieve me gjithë institucionet e tjera. Pastaj, se çfarë bën opozita kjo është një përgjegjësi e saj.

Gazetarja: Pyetja e fundit për LSI-në, partinë që ju themeluat. Zonja Kryemadhi tha që nëse shkarkoheni nga detyra e Presidentit, nuk ua lë partinë.

Presidenti Meta: Zonja Kryemadhi nuk ka pse të ketë shqetësime të tilla, sepse nuk kam ndërmend të kandidoj ndonjëherë për një çështje të tillë.

Gazetarja: Pra, nuk do riktheheni asnjëherë në krye të LSI-së?

Presidenti Meta: Më duket se e kam bërë të qartë që angazhimi im është për çështje të mëdha mbarëkombëtare dhe nuk do të jetë për çështje të karakterit parcial apo ideologjik.

Gazetarja: Pas Presidencës e kishit fjalën sigurisht?

Presidenti Meta: Tani, unë për të ardhmen e kisha, nga sot e nesër.