.

FMN: Shqiptarët më të varfrit e Europës me të ardhura, por ndër më të pasurit për depozita

Shqiptarët vërtet rezultojnë që janë më të varfrit e Europës për të ardhurat për frymë, por kur vjen puna te kursimet që ata kanë në banka, situata është krejt tjetër.

Vlera e parave të depozituara në banka në fund të vitit 2018 ishte sa 67.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në raport me vitet e mëparshme, treguesi ka ardhur në ulje (rekordi ishte në 2016-n, me 72.8%), po këtu ka dhënë ndikim zhvlerësimi i euros, pasi depozitat totale raportohen në lekë dhe ulja e depozitave me afat në lekë, si rrjedhojë e uljes së normave të interesit të monedhës vendase.

Ndonëse në rënie, treguesi i stokut të depozitave që janë në banka, ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto është i 12-i në Europë, duke ia kaluar dhe shteteve të zhvilluara si Italia, teksa është dyfishi i Gjermanisë. Gjermanët p.sh. kanë në banka depozita në vlerën sa 30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të atij shteti.

Të dhënat janë bërë të ditura në Anketën për Sistemin Financiar, të publikuar nga FMN, ku përfshihen shifra nga të gjitha vendet e botës dhe që janë përpunuar nga ‘Monitor’ vetëm për Europën.

Në rajon, Shqipëria mban rekord. Pas nesh renditet Maqedonia e Veriut (56.2%), Bosnjë – Hercegovina (52.9%), Mali i Zi (52.4%) dhe më e varfra sa u takon kursimeve është Serbia (46.9%).

Ndonëse e varfër, Shqipëria është karakterizuar gjithnjë nga nivele të larta depozitash, e lidhur kryesisht me prurjet që vijnë nga emigrantët (në gusht dhe dhjetor ka gjithnjë një rritje të fortë të kursimeve në banka) si dhe me informalitetin e lartë, nga korrupsioni, apo dhe tregtimi i produkteve të ndaluara. Në përgjithësi, shqiptarët janë të prirë që të kenë para mënjanë për ditë të vështira. Në total, në bankat shqiptare në fund të muajit gusht kishte mbi 1 trilion lekë depozita. Pjesa më e madhe e kursimeve, rreth 54% e tyre janë në valutë, kryesisht në euro.
Shtetet që kryesojnë renditjen në Europë, janë Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Malta, që e kanë këtë tregues më shumë se 100% të PBB-së, por më shumë se me qytetarët e pasur, kjo është e lidhur me zhvillimin e industrisë bankare të këtyre vendeve, ku Zvicra p.sh. është e njohur si parajsa e të pasurve, pasi ruan me fanatizëm të dhënat e bankave të saj, çka është bërë shumë herë shkak për konflikte me vendet e Bashkimit Europian.

Ndryshe nga shqiptarët, që kursejnë dhe qindarkën e fundit, vendet e zhvilluara të Europës, që shquhen për politika sociale ndaj qytetarëve të tre, kanë nivele të ulëta depozitash. Finlanda ka nivelin më të ulët të kursimeve në banka në Europë, me vetëm 24.65 të PBB-së, Austria me 27.5%, Gjermania 30%, Franca 39.4%, Norvegjia, 41.5%. Qytetarët e këtyre vendeve kanë pensione të larta, shërbim mjekësor të garantuar, lehtësi të shumta kur dalin në pension, çka bën që ata të mos priren të kursejnë gjithë jetën për të pasur mënjanë fonde që mund t’iu duhen në ditë të vështira.