.

Zgjerohen bizneset e huaja në Shqipëri, investojnë gjysmë miliardi euro

Investimet e huaja direkte u rritën me 10 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit teksa kompanitë me kapital të huaj kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në Shqipëri.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për gjashtë muajt e parë të këtij viti kompanitë e huaja investuan mbi 535 milionë euro në ekonominë shqiptare nga 486 milionë euro që ishte shifra për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të detajuara, pjesa më e madhe e këtyre investimeve rreth 353 milionë euro kishin qenë kapitale të ardhura rishtaz nga jashtë. Pjesa tjetër prej 182 milionë eurosh përbehet nga fitimet e riinvestura të kompanive të huaja që janë aktualisht prezente në Shqipëri.
Prej disa vitesh, fluksi I investimeve të huaja në ekonominë shqiptare ka qenë në nivele relativisht të larta. Rekordi historik u shënua vitin e kaluar kur bizneset e huaja investuan 1 miliardë e 21 milionë euro në Shqipëri.

Por edhe pse shifra e investimeve të huaja duket e lartë, përfitimet për ekonominë kanë qenë të pakta. Kjo pasi pjesa më e madhe e investimeve nga jashtë janë në shfrytëzimin e burimeve natyrore të vendit, vepra energjetike apo të ashtuquajturit sektorë të patregtueshëm si blerja e pronave të patundshme. Vetëm një pjesë shumë e vogël e kapitalit të huaj, ka shkuar në sektorin e manifakturës, i cili zgjeron bazën prodhuese të ekonomisë dhe rrit punësimin dhe eksportet, shkruan Top channel.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar pjesa dërrmuese e investimeve nga jashtë u përqendrua vetëm në katër sektorë, që janë; energjia, industria nxjerrëse, pasuritë e patundshme dhe sektori financiar. Ndërkohë që vetëm 10 për qind e tyre ishin në industrinë e përpunimit apo sektorë të tjerë që kanë vlerë të lartë të shtuar për ekonominë.

Sipas origjinës së kapitalit, në vitet e fundit investimet e huaja janë dominuar nga Zvicra dhe Hollanda.

Në Zvicër është e regjistruar ndërmarrja që po ndërton gazsjellësin TAP, ndërsa në Hollandë është e regjistruar Statkraft Markets, kompania përmes të cilës norvegjezët e Statkraft zotërojnë Devoll Hydropower.