.

Ikën Bolton, po kufijtë e Kosovës?

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, i cili një vit më parë u shpreh hapur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë është shkarkuar nga presidenti Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë është shprehur se shërbimet e John Bolton nuk janë më të nevojshme.

Presidenti Donald Trump njoftoi se ka shkarkuar Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton. Zoti Trump e bëri njoftimin në Twitter, duke shkruar se “e informova John Boltonin mbrëmë se shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë”.

Pavarësisht se nuk dha hollësi, Presidenti shkruan se kishte kundërshtime të forta ndaj sugjerimeve të Këshilltarit të tij. Për këtë arsye, tha ai, “I kërkova John-it dorëheqjen, e cila m’u dorëzua sot në mëngjes”.

Ai shtoi se do ta emërojë Këshilltarin e ri të Sigurisë Kombëtare javën e ardhshme.

Vetëm pak minuta më pas, zoti Bolton reagoi në Twitter, duke shkruar se kishte ofruar dorëheqjen të hënën dhe se “Presidenti Trump kishte thënë ‘le të bisedojmë për këtë nesër”.

Shkarkimi i zotit Bolton, ishte i befasishëm për shumë në Shtëpinë e Bardhë. Vetëm një orë para mesazhit të zotit Trump në Twitter, zyra e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë njoftoi se zoti Bolton, do të dilte në një konferencë për shtyp me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe atë të Thesarit, Steven Mnuchin.

“Ata thjesht nuk binin dakord për shumë çështje,” u tha gazetarëve zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë Hogan Gidley. Ai mohoi se kishte qenë një çështje e vetme që shkaktoi prishjen midis tyre.

Shtëpia e Bardhë thotë se Charlie Kupperman do të shërbejë si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në detyrë.

Njoftimi i Presidentit Trump erdhi vetëm 90 minuta para se zoti Bolton të shfaqej së bashku me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin në podiumin e dhomës së shtypit në Shtëpinë e Bardhë për një konferencë.

Zoti Bolton u zgjodh nga Presidenti Trump në Mars të 2018 -s për të zëvendësuar ish-gjeneralin H.R. McMaster, si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Përzgjedhja e parë e Presidentit Trump për këtë post, Michael Flynn, gjithashtu një gjeneral në pension, zgjati më pak se një muaj para se të shkarkohej. Ai u dënua më pas se kishte gënjyer Byronë Federale të Hetimit në lidhje me një bisedë në dhjetor 2016 me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara dhe po pret dënimin.

Zoti Bolton, ish ambasadori i SHBA në Kombet e Bashkuara u fut në administratë pas një periudhe si komentues në Fox News, një televizion i cili në përgjithësi është mbështetës i Presidentit Trump.

Prej pak kohësh qarkullonin lajme se zoti Bolton kishte qenë kundër planeve për të ftuar talibanët si dhe presidentin afgan Ashraf Ghani, në Camp David, për bisedime që synonin të çimentonin një marrëveshje paqeje mes SHBA dhe talibanëve.

Ka pasur gjithashtu shenja se Bolton, i vlerësuar si i linjës së ashpër në çështjet e sigurisë, ka pasur divergjenca me presidentin në politikën për Iranin dhe Korenë e Veriut.

Zoti Bolton, gjithmonë ishte dukur si një zgjedhje e pazakontë për postin, pasi nuk përputhej me këndvështrimin izolacionist të presidentit “Amerika mbi të gjitha”.

Këshilltarit të deritashëm të tij thuhet se nuk i kanë pëlqyer as takimet e përsëritura me udhëheqësin verikorean, Kim Jong Un, përkundër refuzimit të këtij të fundit për të hequr dorë nga programi bërthamor.

Në takimin e fundit në qershor, në atë që njihet si Zona e Çmilitarizuar midis dy Koreve, Bolton nuk e ka shoqëruar Trump-in.

Një ditë para shkarkimit të tij, zyrtarë të Koresë së Veriut kanë thënë se janë të gatshëm të rinisin bisedimet me SHBA-në, për çarmatosjen bërthamore.

Tensionet midis Trump-it dhe Bolton-it në muajt e fundit thuhet se i ka rritur edhe vendimi i presidentit për të anuluar një sulm të planifikuar ndaj Iranit, pasi ky i fundit ka rrëzuar një dron amerikan.

Bolton i ka favorizuar sulmet ndaj Iranit, por, në publik, ai ka bërë përpjekje t’i minimizojë dallimet me presidentin.Edhe pse Trump ka thënë se është i hapur ndaj një takimi me presidentin iranian, Hassan Rohani, Bolton nuk e ka parë këtë si ndryshim të pozicionit të presidentit.

“Ai do të takohet me këdo që të bisedojë”, i ka thënë Bolton Radios Evropa e Lirë. “Ai është negociator. Ai bën marrëveshje. Por, të bisedosh me ta nuk nënkupton – për presidentin Trump – nuk nënkupton ndryshimin e pozicionit”.

Trump gjithashtu thuhet se është zhgënjyer me Boltonin, për shkak të përpjekjeve të dështuara për ta hequr nga pushteti presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro.

Washington Post shkruan se Bolton nuk i ka pëlqyer as këmbënguljet e përsëritura të presidentit që Rusia të rikthehet në G7, apo grupin e shtatë vendeve më të industrializuara.

Bolton, në disa raste, ka përsëritur se Shtëpia e Bardhë e mbështet fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.

Në gusht të vitit 2018, Bolton ka thënë se SHBA-ja nuk e përjashton as idenë e korrigjimeve territoriale, nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për një gjë të tillë.

“Çështja e arritjes së stabilitetit në Ballkan është shumë e rëndësishme për ne”, do tw thoshte Bolton. Megjithëse nuk ka folur për shkëmbime territoriale, edhe zv/ndihmës sekretari i shtetit, Matthew Palmer është shprehur se ShBA do të mbështesë marrëveshjen që do të arrihet mes palëve. Departamenti Amerikan i Shtetit e emëroi Palmer Përfaqësues të Posaçëm për Ballkanin për të qenë më pranë rajonit, ndërsa ky i fundit do t’u bënte thirrje Prishtinës dhe Beogradit për të rifilluar bisedimet, ndërsa shpreson se qeveria e re e Kosovës që do të formohet pas zgjedhjeve të tetorit do të heqë taksën 100 përqind ndaj mallrave serbe.

Pas shkarkimit të tij, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se udhëheqësit e huaj nuk duhet të mendojnë se politikat e jashtme të Trumpit do të ndryshojnë me largimin e ndonjë zyrtari nga administrata e tij.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Trump ka emëruar zëvendësin e Bolton-it, Charles Kupperman, si ushtrues detyre të këshilltarit të sigurisë kombëtare. /Gazeta Liberale