.

Prezantohet “qeveria” e re e BE, më shumë se kurrë femra, ja kush është Komisioneri për Zgjerim

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar ditën e sotme kabinetin e ri.

Si kurrë më parë, nën drejtimin e Leyen Komisioni i ardhshëm i BE do të ketë në përbërjen e tij më shumë femra.

Do të ketë thuajse një përfaqësim të barabartë, asi komisioni do të përbëhet nga dymbëdhjetë femra dhe katërmbëdhjetë meshkuj.

“Sot jam e lumtur të paraqesë Komisionin tim të balancuar, të zhdërvjellët dhe modern, i cili drejtohet me vendosmëri, i përqendruar qartë në çështjet që kemi në duar dhe jep përgjigje”, shkruan Von Der Leyen.

Komisioni i ri është një hap i qartë përpara përballë Komisionit që po largohet, i cili përbëhej nga nëntë femra dhe 19 meshkuj.

Ndërkohë, Komisioneri për Zgjerim, që përbën dhe më shumë interes për Shqipërinë, do të jetë hungarezi László Trócsányi, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Parlamentit Evropian. Më parë, ai ka shërbyer si ambasador i Hungarisë në Francë dhe ministër i Drejtësisë për pesë vite.

Për shkak të largimit të planifikuar të Britanisë së Madhe nga BE më 31 tetor, Mbretëria e Bashkuar nuk përfaqësohet më në Komisionin e ri. Komisioni i ri do të fillojë punën e tij në 1 nëntor.