.

Zbulohen prapaskena, ja pse u revoltua trajneri i Partizanit pas fitores me Flamurtarin

Trajneri Franko Lerda duket që e ka të vështirë të kënaqet me pak, gjë e cila ka dalë në pah edhe në dy fitoret e fundit që ka arritur Partizani në kampionat. Trajneri italian u vë shumë theksin detajeve, aq më shumë atyre që ai i përgatit në stërvitje dhe lojtarët nuk ia interpretojnë si duhet në ndeshje.

Partizani me vuajtje arriti të mposhtë Flamurtarin, ndonëse për 60 minuta luajti me një lojtar më pak. Por në fund të takimit trajnerit italian nuk ka qenë aspak i kënaqur, madje i nervozuar, sikur ekipi të kishte humbur. Mesa duket skema 3-5-2 nuk po funksionon dhe lojtarët nuk po bëjnë atë që kërkon Lerda. “Panorama Sport” ka arritur të mësojë se arsyet e zemërimit të trajnerit janë komplekse, gjë të cilat ai i shprehu edhe pas fitores me Luftëtarin ku deklaroi:

“Shpërdorojmë shumë raste për shënim. Nuk mund të vazhdohet më kështu!” Por, edhe tri ditë më pas, në ndeshjen në shtëpi, situata ishte thuajse e njëjtë, ku lojtarët vijojnë të shpërdorojnë në fazën përmbyllëse të aksioneve, madje në disa raste u treguan edhe egoistë, duke mos shërbyer për shokët e skuadrës.

Ky ka qenë një nga detajet që e ka nervozuar shumë trajnerin pas ndeshjes me Flamurtarin, ku pas vërshëllimës përfundimtare, është larguar menjëherë në dhomën e zhveshjes duke bërtitur. Por, dozën e pakënaqësisë tek italiani e ka shtuar edhe sjellja e lojtarëve, pasi ka që nuk i presin mirë zëvendësimet, por edhe nga ata që ankohen për të luajtur apo për ata që veprojnë në kokën e tyre, duke mos i zbatuar detyrat e ngarkuara.

Kjo panoramikë ka bërë që trajneri ta kritikojë ekipin në dhomën e zhveshjes, ndonëse Partizani fitoi. Kartonët e marrë, por edhe vështirësia për të shënuar janë pasqyra e nervozizmit të brendshëm të “demave”, të cilët e duan me çdo kusht fitoren në çdo ndeshje. Trajneri nuk ka ngurruar të shfaqë pakënaqësi edhe me vendimet e gjyqtarëve. Kërkesa e Lerdës është që ekipi të sillet si profesionist dhe lojtarët të mos veprojnë sipas mënyrës së tyre të të menduarit.

/panoramasport/