.

Dosje e re për “ushtarët” e Arbër Çekajt, në shtator fakte të tjera për 613 kg kokainë

Prokuroria për Krimet e Rënda vijon hetimet për trafikimin e 613 kg kokainë, sasisë rekord të kapur në shkurt të vitit të kaluar në Portin e Durrësit, të porositur nga biznesmeni Arbër Çekaj.

“BalkanWeb” shkruan se Prokuroria ka regjistruar një tjetër dosje dhe po vijon hetimet për të identifikuar bashkëpunëtorët e Arbër Çekajt.

Kjo ishte sasia më e madhe e kokainës që futej ndonjëherë në Shqipëri, por edhe në vendet përreth, dhe kapte vlerën e 180 mijë euro, nëse nxirrej në treg. Kokaina u kap në magazinat e biznesmenit Çekaj, i cili është arrestuar në Gjermani dhe nuk, dihet ende koha se kur do të ekstradohet për t’u përballur me drejtësinë shqiptare.

Për zbardhjen e plotë të trafikimit të kësaj sasie rekord kokaine, Prokuroria po heton dhe po bashkëpunon dhe me agjencitë partnere si Gjermania e vende të tjera. Sipas gazetares Lala, në shtator pritet të rifillojë procesi i gjykimit, prej nga do të pyeten dëshmitarë. Hetimet e reja mbi dosjen e kokainës pritet të nxjerrin në dritë mjaft fakte, që do të ndihmojnë Prokurorinë për zbardhjen e plotë të këtij trafiu.

(BalkanWeb)