.

Shokon politikani malazez: Do bëj mur në kufi me Shqipërinë e Kosovën

Drejtuesi i Lëvizjes Malazeze për Ndryshim, Nebojsha Medojeviç, ka bërë një deklaratë shokuese, teksa ka kërkuar ngritjen e një muri në kufi me Shqipërinë dhe Kosovën.

Medojeviç kohët e fundit tha se “Fronti Demokratik, kur të vijë në pushtet, do të ishte gati të ngrejë një mur midis Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë për shkak të bandave të drogës”.

Shqiptarët e Malit të Zi kanë reaguar ashpër pas këtyre deklaratave.

“Me deklaratat për ngritjen e një muri me Kosovën dhe Shqipërinë, drejtuesi i Lëvizjes Malazeze për Ndryshim, Nebojsha Medojeviç, poshtëron shumicën e atyre partive shqiptare dhe disa shqiptarë që dikur mbështetnin politikat e tij”, thanë përfaqësuesit e partive të pakicave shqiptare në Mal të Zi.

Politikani shqiptar, Nikollë Gegaj, tha se pikëpamjet e Medojeviçit “përfaqësojnë mënyrën e politikanëve ekstremë që nxisin urrejtjen fetare dhe intolerancën ndër-shtetërore”.

Sipas tij, “Medojeviç po përpiqet të nxisë urrejtje kombëtare midis qytetarëve malazezë.”

Kryetari i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, njëherësh ish-kryetari i Komunës së Ulqinit, është i shokuar nga pikëpamjet e një prej drejtuesve të Frontit Demokratik.

“Shokuese. Thjesht e pabesueshme. Në kohën e kufijve të hapur, të thuash diçka të tillë në të nxehtin e një lufte politike është e papranueshme”, thotë Gjeka.

Por Medojeviç më vonë shpjegoi deklaratën e tij, duke thënë se “muri me Kosovën dhe Shqipërinë nuk do të ngrihet as për shkak të popullit shqiptar, ose malazez, por ekskluzivisht kundër mafies malazeze dhe shqiptare, e cila e ktheu kufirin në Eldorado për kontrabandë.”