.

Emrat/Kush e zbuloi skemën e mashtrimit me kreditë fiktive në filialin e “Fondit Besa”, drejtoresha, “truri” i vjedhjes

Një shumë prej rreth 3,7 milionë eurosh dyshohet të jetë përfituar si rezultat i krijimit të një skeme mashtrimi, duke akorduar kredi fiktive në degën e një institucioni kredidhënieje në Tiranë.

Kjo skemë është denoncuar disa ditë më parë nga vetë drejtuesit qendrorë të këtij institucionit të dëmtuar, konkretisht “Fondi Besa” dhe pas hetimeve të Antikrimit Ekonomik, u arrit dokumentimi dhe arrestimi i përgjegjësve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Tiranës, pas kallëzimit të bërë nga drejtuesit e “Fondit Besa”, fondacion për dhënie kredie, se një pjesë e stafit kishin dhënë kredi fiktive, me qëllim përfitimin, si dhe kishin marrë me interes shuma të mëdha valute nga persona të ndryshëm, menjëherë kanë referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës.

Pas një punë hetimore një-javore, nën drejtimin e Prokurorisë, mbrëmjen e së martës, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar “Kredia”, duke e finalizuar me ndalimin e 7 personave dhe konkretisht:

Albana Imami, 48 vjeçe, drejtoreshë në një nga degët e filialit të fondacionit;

Blertina Kanani, 41 vjeçe, oficere kredie;

Matilda Domi, 27 vjeçe, oficere kredie;

Mihal Hanxhari, 41 vjeç, ishoficer kredie;

Esmeralda Vaso, 38 vjeçe, oficere kredie;

Orkida Driza, 41 vjeçe, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive;

A. A., 32 vjeç, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive.
Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e një shtetasi, pjesëtar i grupit, në rolin e sekserit dhe vijon puna për kapjen e tij.

Shuma e kredive që janë dhëne nga ky staf, deri tani ka shkuar në vlerën e 2 milionë eurove dhe në përditësimin e saj shkon në rritje. Nga drejtoresha e degës, shtetasja Albana Imami, janë marrë shuma të mëdha valute me interes nga persona të ndryshëm për të mbuluar këtë skemë mashtrimi, të cilat kapin vlerën deri në 1,7 milionë euro./PANORAMA