.

“Arena Kombëtare” nuk është gati as për shtatorin, ja çfarë njofton UEFA për ndeshjen ndaj Islandës

Federata Shqiptare e Futbollit, kërkonte me çdo kusht që inaugurimi i “Arenës Kombëtare” në Tiranë, të ndodhte në ndeshjet e shtatorit, që Shqipëria luan në kuadër të kualifikueseve për Europianin 2020.

Përkatësisht, ndeshja e raundit të pestë në grupin H, luhet në transfertë ndaj Francës, më 7 shtator, ndërkohë që ndeshja e gjashtë, luhet brenda, më datë 10 shtator ndaj Islandës.

Pikërsht, ndaj ekipit islandez, kërkohej që të inaugurohej edhe “Arena Kombëtare”, si afati i dytë, teksa herën e parë u premtua muaji qershor, por as ai nuk u arrit.

Por, mesa duket edhe shtatori nuk është një mundësi reale. Në impiant ende kryhen punime, e për më tepër as tapeti i blertë nuk është shtruar ende, ç’ka e bën praktikisht të pamundur të luhet aty pas rreth 20 ditësh.

Diçka të tillë e konfirmon edhe vetë UEFA, ku në faqen e saj zyrtare në internet, është caktuar “Elbasan Arena”, si stadiumi ku Shqipëria do të presë Islandën në takimin e datës 10 shtator, që nis nga ora 20:45.

Në tetor, Shqipëria luan dy ndeshje në transfertë, ndaj Turqisë dhe Moldavisë, dhe mbetet nëntori që ianugurimi të kryehet ndaj Andorrës apo Francës, të dyja ndeshje që luhen në shtëpi.