.

Dhuna ndaj turistëve spanjollë, lokali i autorit pritet të shembet për parregullsi

Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi tri ditë më parë në bregdetin shqiptar, lokali i Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo të Himarës po i nënshtrohet verifikimit të dokumentacionit nëse është korrekt me ligjin ose jo.

0

Menjëherë pas arrestimit të 51-vjeçarit Kokëdhima, sepse akuzohet se sulmoi turistët spanjollë pas konfliktit për peshkun në restorantin e tij, Policia e ka bllokuar aktivitetin në këtë ambient.

Aktualisht po verifikohet nëse pronari e ka regjistruar si aktivitet dhe nëse i paguan apo jo detyrimet shtetërore. Madje, në rast se do të konstatohen mangësi, nuk përjashtohet mundësia që lokali buzë detit të shembet, edhe pse aktualisht ndodhet në proces legalizimi.

Ndërkohë, i arrestuari Mihal Kokëdhima ndodhet në paraburgim pas arrestimit dhe pritet të dalë në gjyq ditën e hënë, ku do të njihet me masën e sigurisë.

Dje “Panorama” publikoi edhe pamjet me video nga momentet e sulmit të Mihal Kokëdhimës mbi furgonin me turistët spanjollë, që ishin larguar nga restoranti i tij sepse nuk u kishte pëlqyer peshku dhe shërbimi. Videoja është regjistruar nga vetë turistët, në kohën kur ata po sulmoheshin nga pronari i lokalit “Panorama”, i cili kishte hipur mbi kofanon e makinës.

VIDEOJA

Në videon e publikuar dje shfaqen pamjet e momentit të sulmit ndaj turistëve spanjollë nga pronari i restorantit “Panorama” në Porto Palermo të Himarës, Mihal Kokëdhima. Videoja e realizuar nga turistët që ishin pasagjerë në mjet, tregon momentin e tmerrshëm kur pronari i lokalit i hidhet me trup furgonit të turistëve në ecje, duke goditur me grushte xhamin e përparmë të mjetit për gati 3 kilometra.

Mihal Kokëdhima arrin të thyejë plotësisht xhamin e mjetit, duke gjakosur edhe duart e tij, ndërsa ngjarja ka krijuar panik të madh te turistët, të cilët dëgjohen duke bërtitur të tronditur. “Mbaje, mbaje, mbaje se do hidhem unë, po mbaje… o ç’vdiqa, mbaje këtu të thashë se do vdes këtu”, dëgjohet Mihal Kokëdhima që u drejtohet personave brenda në makinë.

Nga ana tjetër, shoferi dhe shoqëruesi i turistëve që ndodhet në sediljen e parë të mjetit i kërkojnë që të zbresë poshtë. “Zbrit nga makina tani, zbrit poshtë. Po na ndjekin nga mbrapa të tjerët. Nuk do ndaloj fare, do shkoj në Polici direkt. Merrni Policinë. Hajdeni se na vrau. Do vijë këtu Policia, në Sarandë do vemi”, dëgjohen duke bërtitur shoferi me shoqëruesin. Më pas, i riu që ndodhet në sediljen e parë të makinës i telefonon Policisë, gjatë kohës që pronari i restorantit vazhdonte të qëndronte sipër makinës që ishte në ecje. “Ngrini postbllok në Qeparo. Erdhën me thika, kanë thyer makinën”, shprehet ai gjatë telefonatës me Policinë.

INCIDENTI

Turistët spanjollë kishin ardhur më 15 gusht me jaht nga Saranda dhe ishin ulur të konsumonin një drekë në një restorant në Porto Palermo të Himarës. Ata kanë hyrë në ambientet e restorantit, por nuk kanë pëlqyer shërbimin e ofruar dhe më pas janë ngritur për t’u larguar. Ky moment ka bërë që pronarët e lokalit të ndjekin nga pas furgonin e turistëve, ndërsa kanë goditur fizikisht drejtuesin e mjetit, së bashku me 5 shtetasit e huaj. Në konflikt e sipër, pronarët e lokalit kanë nxjerrë edhe armët e ftohta për të goditur turistët, si dhe kanë thyer xhamin e furgonit, i cili po i shoqëronte ata.

“Mbaje, mbaje, mbaje se do hidhem unë po mbaje – o ç’vdiqa, mbaje këtu të thashe se do vdes këtu”- jane vetem disa nga fjalet qe degjohet ai te thote.

123