.

Shembja e skelës që u mori jetën dy punëtorëve dhe plagosi 3 të tjerë, ç’ndodhi dje në pallatin 13-katësh

Përfundimi i riparimit të fasadës së një pallati në Tiranë ka rezultuar tragjik dje për dy punëtorë që po çmontonin skelën nga kati i dhjetë.

1

Skela është shembur duke rënë bashkë me punëtorët që ndodheshin sipër, të cilët kanë mbetur poshtë gërmadhave, duke gjetur vdekjen, ndërsa tre punëtorë të tjerë janë plagosur, duke marrë plagë të rënda në të gjithë trupin.

Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 15:00, në rrugën “Faik Konica”, që ndodhet pranë rrugës së Elbasanit, në Tiranë. Në pallatin 13-katesh po kryhej rikonstruksioni i fasadën dhe në momentin e punës është shkëputur skela në dy prej kateve të godinës, Për pasojë kanë humbur jetën dy punonjësit, Orjan Kodra, 36 vjeç dhe Ergys Brahimaj, 31 vjeç.

Ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe punëtorët Gentian Bardhi, 44 vjeç, Euglidios Lika, 34 vjeç dhe Altin Marku, 40 vjeç, të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës. Burime nga Policia thanë se ata kanë marrë plagë të rënda në kokë dhe trup dhe ndodhen nën kontrollin e specializuar të mjekëve.

ambulanca-shqiperi

Njëri prej tyre do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Të njëjtat burime thanë se shkak i këtij aksidenti të rëndë në punë dyshohet të ketë qenë mungesa e sigurisë teknike. Menjëherë pas ngjarjes, Policia ka shoqëruar administratorin e shoqërisë së skelave, si dhe ka marrë në pyetje inxhinierin. Ende nuk është vendosur për arrestimin apo procedimin e tyre.

NGJARJA

Pesë punëtorët që ranë dje nga lartësia në Tiranë, kanë qenë duke bërë çmontimin e skelës nga njëra anë e pallatit 13-katesh, të cilën më pas do ta montonin në anën tjetër ku do të riparohej fasada. Gjatë kësaj kohe ka ndodhur edhe incidenti i rëndë dhe skela është shembur duke rënë poshtë bashkë me punëtorët që ndodheshin sipër saj.

Në fasadën e pallatit ka mbetur vetëm një pjesë e skelës në katin e 13-të, ndërsa e gjitha struktura tjetër ka rënë plotësisht në tokë. Ende nuk është saktësuar plotësisht nëse të gjithë punëtorët kanë rënë nga lartësia bashkë me strukturën e skelës, apo disa prej tyre janë zënë poshtë prej saj. Burimet thanë se dy prej punëtorëve janë nxjerrë nga rrënojat disa minuta pas ngjarjes dhe të dy kanë ndërruar jetë.

Ndërsa tre të tjerët janë dërguar me urgjencë në spital me plagë të shumta thuajse në të gjithë trupin. Fillimisht Policia raportoi për një viktimë, më pas konfirmoi se bëhej fjalë për dy të vdekur. Në vendngjarje kanë qenë të pranishme forca të shumta Policie dhe forca zjarrfikëse, që bënë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë nga rrënojat.

SIGURIA

Kreu i Konfederatës së Sindikatave në Shqipëri, Kol Nikolla, u shpreh dje se shkak për incidentin e rëndë është bërë mungesa e sigurisë në punë. “Siguria në punë ka qenë objektiv ynë për të ngritur zërin, por fatkeqësisht rastet po bëhen mjaft problematike. Është e pafalshme që gjithmonë jemi të fundit në këtë problem dhe nuk kemi asnjë person të vënë para përgjegjësisë. Shumica e kantiereve të ndërtimit janë në kundërshtim me legjislacionin e punës. Agjencitë e kontrollit nuk po kryejnë punën e tyre. Besojmë se shumë shpejt reforma në drejtësi do të japë frytet e saj dhe përgjegjësit e këtyre ngjarjeve do të marrin përgjegjësinë”, u shpreh Nikolla.

Policia: Shoqëruam administratorin e punimeve, po kryhen hetime

Policia e Tiranës në njoftimin paraprak për ngjarjen që ndodhi në rrugën “Faik Konica”, sqaroi se dy punëtorë ishin zënë poshtë nga skela dhe fillimisht është nxjerrë trupi i pajetë i njërit prej tyre. Ndërsa në një tjetër njoftim, Policia tha se bëhej fjalë për dy viktima. “Rreth orës 15:00, në Rrugën e Elbasanit, nga një ndërtesë në rikonstruksion është shkëputur një pjesë e skelës metalike. Si pasojë e shkëputjes së skelës janë dëmtuar 4 nga punëtorët, të cilët ndodheshin duke punuar pranë këtij objekti. Shtetasit G. B., 44 vjeç dhe E. L., 34 vjeç janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Dy punëtorë të tjerë i ka zënë skela poshtë dhe në këto momente është nxjerrë turpi i pajetë njërit prej tyre. Policia e Zjarrfikësja vijojnë punën për nxjerrjen e personit tjetër. Policia ka shoqëruar administratorin e punimeve për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes. Lidhur me ngjarjen, ju bëjmë me dije se shtetasit që kanë ndërruar jete janë, O. K., 36 vjeç dhe E. B., 31 vjeç”, tha zyrtarisht Policia.

Drejtori i Traumës: Dy pacientë, të stabilizuar

Drejtori i Spitali të Traumës, Arben Zeneli, ka dhënë disa detaje në lidhje me gjendjen shëndetësore të punëtorëve që u paraqitën dje në urgjencë, pas ngjarjes që ndodhi në rrugën “Faik Konica”, në Tiranë. Sipas Zenelit, pacientët janë paraqitur me politrauma dhe dy prej tyre janë në gjendje të stabilizuar.

“Dy punëtorët ndodhen aktualisht në sallën e operacionit ku i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, pas plagëve të shumta që kanë marrë në kokë. Dy të plagosur janë në sallë, por ndodhen në gjendje të stabilizuar për parametrat jetësore”, u shpreh dje drejtori i Spitalit të Traumës. Si pasojë e aksidentit të rëndë që ndodhi dje në Tiranë, humbën jetën dy punonjësit, Orjan Kodra, 36 vjeç dhe Ergys Brahimaj, 31 vjeç. Ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe punëtorët Gentian Bardhi, 44 vjeç, Euglidios Lika, 34 vjeç dhe Altin Marku, 40 vjeç, të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës.

PANORAMA