.

Ish-kreu i ALUIZNI-t kërkon rikthimin e 1.5 milionë eurove. Ja ç’thotë për pasurinë

Ish-drejtori i ALUIZNIt në Tiranë, Ferdinand Shehu, ka ankimuar vendimin e Prokurorisë së Tiranës për sekuestrimin e 1.5 milionë eurove.

Ferdinand-Shehu-sekuestro-1-5milion

Shehu i është drejtuar Gjykatës për të bërë lirimin e pasurisë së tij, ndërsa seanca e djeshme, ku do të shqyrtohej kërkesa e tij, dështoi për shkak të mungesës së prokurorit. Ish-drejtori i ALUIZNI-t ishte i pranishëm në seancë, ndërsa në kërkesën e bërë gjykatës, thotë se e gjithë pasuria e tij është e ligjshme dhe kërkon heqjen e sekuestros për llogaritë e tij.

Vendimi për sekuestrimin e 1.5 milionë eurove është dhënë në 1 gusht nga Prokuroria, ndërsa në një reagim publik në atë kohë, Shehu paralajmëroi se do t’i drejtohej gjykatës dhe se e gjithë kjo është një përpjekje për t’i hedhur baltë imazhit të tij. Duke iu referuar burimeve zyrtare, sekuestrimi erdhi si rezultat i operacionit të koduar “Investimi” dhe është drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka kryer verifikimet paraprake dhe ka kërkuar bllokimin e kësaj shume, një pjesë e së cilës do të transferohej jashtë vendit.

“Sekuestrohen 1,5 milionë euro llogari bankare, të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme”, shkruhej në hyrje të njoftimit zyrtar të Policisë dy javë më parë. Ndërkohë, Prokuroria ka shënuar edhe një procedim penal dhe është duke hetuar për pastrim të parave, por nuk është marrë ndonjë masë personale ndaj tij, i cili këto ditë ndodhet në Itali.

HETIMET

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të drejtorive të krimit ekonomik dhe pastrimit të parave në Policinë e Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë së kryeqytetit. Në njoftim, Policia nuk bënte të ditur identitetin e ish-zyrtarit dhe as inicialet e tij, por përcaktonte se nga viti 2006- 2011 ka mbajtur funksion zyrtar të ALUIZNI.

“Në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të paluajtshme dhe të shumave financiare që dyshohet se janë përfituar nga burime të paligjshme, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Pastrimit të Parave, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar ‘Investimi’, për sekuestrimin e 1 500 000 euro llogari bankare, të një shtetasi, ish-punonjës i administratës shtetërore, i cili në vitet 2006-2011 ka mbajtur funksione zyrtare në Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Urbane.”, njoftoi Policia. Zyrtarisht, bëhet me dije se për ish-zyrtarin e ALUIZNI-t, është shënuar edhe procedimi penal për pastrim e parash.

Sipas Policisë, ky shtetas ka kryer disa investime në pasuri të paluajtshme, duke bërë kështu edhe pastrimin e parave. “Ky shtetas dyshohet se ka konsumuar veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, duke kryer disa investime në pasuritë e paluajtshme”, shkruhet në njoftim.

TRANSFERIMI

Duke iu referuar burimeve zyrtare, Shehu nëpërmjet një banke private është përpjekur të transferojë jashtë vendit një shumë prej 1 milionë eurosh, me arsyetimin se do të bënte investime financiare. Pjesën tjetër të vlerës së sekuestruar, e ka vendosur në një depozitë pa afat. “Kohët e fundit, nëpërmjet një banke private, shtetasi i lartpërmendur ka tentuar transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat”, njoftoi Policia. Në reagimet publike për mediat, Shehu e ka konsideruar si të pavërtetë pretendimin e Prokurorisë dhe se e gjithë kjo ishte një tentativë për të prishur imazhin.

Sekuestrim i parave u be gjate operacionit policor te koduar “Investimi”.

Sipas burimeve, 1,5 milionë euro llogari bankare, të dyshuara se janë përfituar nga burime të paligjshme i janë sekuestruar nga policia Shehut, i cili ka qenë kreu i ALUIZNI-t për rajonin e Tiranës.

Ferdinant Shehu, u shkarkua nga kjo detyrë në vitin 2011, detyrë të cilën ia kishin ngarkuar në vitin 2010.

Ndërsa në periudhën 2006-2010 ai mbajti postin si zëvendësdrejtor i Përgjithshëm pranë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale.

Ferdinand Shehu është ‘divorcuar’ përfundimisht në vitin 2011 nga Partia Demokratike. Ai u shkarkua edhe nga ALUZINI me motivacionin se kishte fshehur të shkuarën e tij si “hetues” në kohën e diktaturës.

Në postin e fundit publik që ka mbajtur, Ferdinand Shehu ka qenë pjesë e këshillit Bashkiak të Tiranës. Ai është zgjedhur si anëtar i Këshillit Bashkiak në zgjedhjet e vitit 2015 dhe ka fituar mandatin nga Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit.