.

“Kontakte të papërshtatshme dhe e implikuar në veprimtari korruptive”- Çfarë u zbulua për prokuroren Alketa Nushi dhe roli i bashkëshortit


Me 27 qershor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përbërë nga Etleda Çiftja kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Firdes Shuli anëtar, shpalli vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores Alketa Nushi.

Nushi, e cila mbante postin e drejtueses së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, u hetua nga KPK për të tre kriteret e rivlerësimit kalimtar, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Nushi i është nënshtruar procesit të rivlerësimit kalimtar ex-officio. Ajo ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe është emëruar prokurore në Prokurorinë e Matit. Në janar 2018, Alketa Nushi është komanduar drejtuese e Prokurorisë së Kukësit.

Trupa gjykues e KPK-së që është shortuar për të ndërmarrë rivlerësimin e subjektit, ka pasur fillimisht si kryesuese komisioneren Alma Faskaj. Pas dorëheqjes së Faskaj për shkak të pamundësisë objektive, ajo është zëvendësuar nga komisionerja Etleda Çiftja.

“Znj. Alketa Nushi ka mbajtur një qëndrim bashkëpunues me Komisionin, duke dhënë përgjigje sa herë është pyetur dhe ka paraqitur dokumentacion mbështetës për shpjegimet e veta, edhe në lidhje me burimet financiare të personave të tjerë, me të cilët kishte pasur marrëdhënie financiare,” shprehet trupa e KPK-së në vendimin e zbardhur.

Komisioni e ka mbyllur hetimin administrative me datë 6 qershor dhe një ditë më pas ka njoftuar subjektin nëpërmjet postës elektronike për rezultatet e hetimit kryesisht, si dhe kalimin e barrës së provës për të sjellë shpjegime dhe prova që provojnë të kundërtën brenda datës 18 qershor.

Në mungesë të një përgjigje nga subjekti, në datën 11 qershor Nushi është rikontaktuar nga sekretarja gjyqësore dhe i janë rinisur rezultatet e hetimit. Subjekti ka kërkuar më shumë kohë nga KPK dhe seanca dëgjimore është shtyrë me datën 25 qershor.

Seanca dëgjimore është mbajtur në prani të vëzhguesit ndërkombëtar, Theo Jacobs. Gjatë seancës relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj paraqiti rezultatet e arritura nga Komisioni, përgjatë fazës së hetimit administrativ, të kryer mbi të tria kriteret e rivlerësimit – dhe të kaluara si barrë prove apo për shpjegime.

Pasi dëgjoi relacionin, prokuroja Alketa Nushi shprehu qëndrimin e saj lidhur me gjetjet e hetimit kryesisht, si dhe mbi procesin e rivlerësimit të kryer ndaj saj.

Gjithashtu, subjekti i rivlerësimit, gjatë seancës dëgjimore, u përgjigj pyetjeve të bëra nga trupi gjykues dhe nga vëzhguesi ndërkombëtar, si dhe shprehu qëndrimin e vet përfundimtar duke kërkuar konfirmim në detyrë.

Kontrolli i pasurisë

Si pjesë e hetimit administrativ të subjektit të rivlerësimit, KPK ka administruar raportet nga organet ndihmëse të procesit të vetingut, përfshirë Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit.

Sipas ILDKPKI-së deklarimi i subjektit nuk ka qenë i saktë dhe në përputhje me ligjin, por subjekti ka pasur burime financiare të ligjshme, nuk ka kryer fshehje pasurie dhe nuk ka kryer deklarim të rremë. Gjithashtu, sipas ILDKPKI prokurorja Nushi nuk është në kushtet e konfliktit të interesit.

Përtej raportit të Inspektoriatit, KPK ka ndërmarrë një hetim të pavarur mbi informacionet dhe konkluzionet e arritura nga ILDKPKI, por dhe mbi fakte të marra nga institucione të tjera. Hetimi administrativ në lidhje me vlerësimin e pasurisë së subjektit konsistoi në verifikimin e vërtetësisë së deklarimeve në lidhje me gjendjen pasurore të subjektit dhe të personave të lidhur; në verifikimin e burimeve të krijimit të të ardhurave dhe shpenzimeve me qëllim evidentimin e mungesës së mundshme, të burimeve të mjaftueshme financiare për të justifikuar pasuritë; në evidentimin e ndonjë fshehjeje të mundshme të sendeve në pronësi ose përdorim; si dhe në evidentimin e ekzistencës së mundshme të deklarimeve të rreme apo të ndonjë konflikti të interesave.

Në hetim janë përfshirë 4 pasuri tokë arë në Vlorë, një truall me sipërfaqe 250 m2 në Vlorë, një apartament banimi me sipërfaqe 70 m2 dhe vlerë 32,900 euro në Tiranë dhe një automjet Ford Focus, të deklaruar nga subjekti në deklaratën veting. Sipas KPK-së 4 pasuritë të llojit tokë arë në Vlorë, rezultojnë në deklaratën veting me një sipërfaqe 177 m2 më të madhe se sa janë deklaruar në deklaratën periodike në ILDKPKI në vitin 2008, ndërkohë trualli me sipërfaqe 250 m2 nuk rezulton i deklaruar nga subjekti më parë. Subjekti ka deklaruar si burimi krijimi për apartamenti 70 m2 në Tiranë, një kredi bankare të marrë në “Tirana Bank” më vlerë 25 mijë euro në nëntor 2008; 3.900 euro kursime personale nga puna e mëparshme; 2 mijë euro ishin dhuruar nga motra e bashkëshortit të subjektit dhe 2 mijë euro ishin dhuruar nga nëna e subjektit. Ndërkohë automjeti Ford Focus i është dhuruar nga i vëllai.

Duke qenë se gjatë viteve 2008-2017 subjekti nuk ka deklaruar tjetërsim ose ndryshime në pasuri, nga analiza krahasuese e deklaratës periodike të vitit 2008 dhe asaj veting të vitit 2017, KPK ka konstatuar disa mangësi ose mospërputhje; përfshirë mosdeklarimin e truallit me sipërfaqe 250 m2 në Vlorë, origjina e dyshimtë e regjistrimit të kësaj pasurie, deklarimi në deklaratën veting të një sipërfaqe tokë arë 177 m2 më shumë nga ajo që ishte deklaruar në vitin 2008 – para fillimit të detyrës. Gjithashtu, sipas KPK-së subjekti në deklaratën veting, subjekti nuk ka deklaruar pasurinë vreshtë, me sipërfaqe 1600 m2 dhe ullishtë, me sipërfaqe 1500 m2 – të cilat ishin deklaruar në vitin 2008. Në deklaratën e vitit 2008, nuk është deklaruar burimi financiar i krijimit të apartamentit dhe as dhuratat e marra në cash nga nëna dhe kunata e subjektit. Nga hetimi administrativ i Komisionit nuk janë konstatuar probleme me burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë apartament me sipërfaqe 70m2 dhje vlerë 32,900 euro në Tiranë.

Lidhur me mospërputhjen e sipërfaqeve të tokave të deklaruara në deklaratën “Vetting” me ato të deklaruara para fillimit të detyrës, subjekti shpjegoi se ky fakt nuk varej nga vullneti apo nga mangësia e saj, por nga gabimet e institucioneve kompetente. Lidhur me mosdeklarimin e pronës truall me sipërfaqe 250 m2 subjekti ka deklaruar se në kohën e deklarimit periodik nuk e ka pasur certifikatën e pronësisë. Lidhur me tokat ullishtë dhe vreshtë, subjekti shpjegoi se mospërputhja ka lindur nga fakti se këto sipërfaqe ishin në bashkëzotërim nga të gjitha familjet bujqësore dhe, për rrjedhojë, nuk lejohej copëzimi pasuror. Për sa i përket mosdeklarimit të dhurimeve nga personat e lidhur në deklarimet periodike, Nushi, ka shpjeguar se shumat në fjalë janë marrë në shtator 2007 dhe në qershor 2008, ndërsa ajo është emëruar në funksionin e prokurorit në nëntor 2008, ndaj, për rrjedhojë, “nuk kishte detyrimin që t’i deklaronte.”

Nga analiza financiare Komisioni ka konstatuar se Nushi ka pasur të ardhura të ligjshme, të mjaftueshme për shpenzimet e kryera, por subjekti ka kryer deklarime të pamjaftueshme për periudhën 2009 – 2015, duke deklaruar të ardhura neto më të larta nga sa ka rezultuar nga dokumentacioni provues i administruar nga Komisioni. Nga faturat e paraqitura nga vetë subjekti për të provuar xhiron e biznesit të bashkëshortit, ka rezultuar se deklarimet e të ardhurave, të kryera pranë organeve tatimore nga ky biznes, nuk përkojnë me ato reale, pasi, së paku në tre vjet nuk janë deklaruar për efekt të tatimeve mbi 3,6 milionë lekë.

Për sa i përket deklarimeve të subjektit, KPK ka konstatuar pamjaftueshmëri të dyfishtë për deklarimin e të ardhurave të biznesit të bashkëshortit si dhe të pasurive të paluajtshme në pronësi të subjektit të rivlerësimit.

Pastërtia e figurës

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka kryer kontrollin e pastërtisë së figurës së prokurores, Alketa Nushi dhe fillimisht ka konstatuar ‘përshtatshmërinë’ e saj për vazhdimin e detyrës. Por në një raport të dytë të përditësuar, DSIK ka konkluduar se subjekti nuk është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

“Nisur nga të dhënat e siguruara nga autoritet verifikuese, ndryshon konstatimi fillestar, nga përshtatshmëri, në papërshtatshmëri për vazhdimin e detyrës nga subjekti i rivlerësimit, znj. Alketa Nushi (Nushaj), pasi ka të dhëna se subjekti i rivlerësimit ka pasur kontakte të papërshtatshme, si dhe ka qenë e implikuar në veprimtari korruptive të funksionit të drejtësisë, për një periudhë relativisht të gjatë kohe dhe në më shumë se në një rast, si dhe ndikim dhe favorizim të paligjshëm të të pandehurve, në papajtueshmëri të plotë me detyrën e saj,” shkruan DSIK në raportin e përcjellë në KPK.

Komisioni ka njoftuar subjektin për rezultatet e raportit të përditësuar të DSIK-së në lidhje me përshtatshmërinë e saj për vazhdimin e detyrës. Nushi në prapësimet e saj, por edhe dhe gjatë seancës dëgjimore, shpjegoi se konkluzionet e DSIK-së nuk qëndronin, pasi ajo nuk ishte përfshirë ndonjëherë në veprimtari korruptive dhe nuk kishte pasur kontakte të papërshtatshme.

Hetimi administrativ i KPK-së ka arritur në përfundimin se informacionet dhe dyshimet mbi të cilat ngrihet raporti i DSIK- nuk janë të bazuara mjaftueshëm për të konkluduar për papërshtatshmërinë e subjektit të rivlerësimit.

“Komisioni, në lidhje me kriterin e kontrollit të figurës, nuk krijon bindjen për papërshtatshmërinë e subjektit të rivlerësimit për vijueshmërinë e funksionit të tij, dhe se konstatimet e mësipërme nuk mund të konsiderohen si shkak për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit,” shkruan KPK në vendimin e zbardhur; megjithatë, Komisioni shton se rrethanat e paraqitura në raportin e DSIK-së “mund të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të rivlerësimit.”

Rivlerësimi i aftësive profesionale

Rivlerësimi i aftësive profesionale të drejtueses së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, Alketa Nushi është mbështetur nga KPK në raportin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, informacione të tjera të marra gjatë hetimit administrativ nga organet ligjzbatuese, kriteret e vlerësimit të parashikuara në legjislacionin mbi statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe denoncimet nga publiku.

Nga raporti i KLP-së ka rezultuar se nga të dhënat arkivore pranë Sektorit të Burimeve Njerëzore në Prokurorinë e Përgjithshme për prokuroren Alketa Nushi nuk ka masa disiplinore. Megjithatë, nga kontrolli në Sektorin e Protokollit dhe Arkivit në Prokurorinë e Përgjithshme rezulton se ndaj subjektit të rivlerësimit janë paraqitur dy ankesa.

Ankesa e parë e vitit 2018 lidhet me pushimin e një çështje, ku shtetësja M.U ankohet se shtetasi i akuzuar ka të vëllanë prokuror dhe mbrohet nga kryeprokurorja e rrethit, e cila është e akomoduar në hotelin e palës së akuzuar. Këtë ankesë Prokuroria e Përgjithshme e ka përcjellë në Prokurorinë e Tropojës për kompetencë hetimore. Ankesa e dytë që i përket gjithashtu vitit 2018, është bërë nga bashkëshortja e një viktime që e akuzon Nushin dhe një prokuror tjetër për korrupsion. Kjo ankesë është përcjellë nga Prokuroria e Përgjithshme për kompetencë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat.

Gjithashtu, KLP-ja shprehet se për subjektin janë administruar disa informacione të rezervuara nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me disa dosje konkrete. Nga Prokuroria e Përgjithshme, Nushi është vlerësuar shumë mirë për vitet 2014-2016. Në përfundim KLP ka arritur në përfundimin se nuk janë konstatuar mangësi profesionale nga subjekti.

Rivlerësimi i aftësive profesionale të subjektit nga Komisioni është përqendruar në disa dosje të sinjalizuara nga organet ligjzbatuese, ku përfshihen pesë dosjeve penale nga vitit 1997 deri në vitin 2017. Sipas KPK-së në një dosje të vitit 2017, Nushi ka kërkuar masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe garanci pasurore, për një të dyshuar për tre verpa penale të rënda, i cili pas lirimit është larguar pa lënë gjurmë. Gjithashtu, subjekti i rivlerësimit e ka pushuar përfundimisht këtë çështje. Ky vendim është kundërshtuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat. Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat është ankimuar dhe është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Tiranë. Nga hetimi administrativ i këtij rasti, KPK ka arritur në përfundimin se nxjerr në pah disa mangësi në aftësitë profesionale të subjektit të rivlerësimit, pasi veprimet dhe mosveprimet hetimore të saj “kanë çuar në kryerjen e hetimeve të cunguara dhe në konkluzione të deformuara, me cilësim jo korrekt të veprës penale.”

Mangësi janë konstatuar nga KPK edhe në një dosje të vitit 2012, kundër dy shtetasve për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”. Subjekti i rivlerësimit ka vendosur pushimin e çështjes ndaj dy të dyshuarave. Në arsyetimin e vendimit të pushimit, prokurorja ka arsyetuar se edhe pse është provuar se dy plagosjet janë realizuar nga një nga autorët e dyshuar, ato kanë ardhura nga pakujdesia dhe nuk mund të ndiqen penalisht nga prokuroria. Me dakordësinë e prokurores, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat ka zëvendësuar masën e sigurisë për të dyshuarin nga arrest me burg në arrest në shtëpi. Vendimi i prokurores për pushimin e çështjes është shfuqizuar nga drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, pasi ai ka konstatuar një sërë mangësish lidhur me veprimet dhe mosveprimet hetimore. Drejtuesi i Prokurorisë së Matit ka urdhëruar zëvendësimin e prokurores dhe të OPGJ-së që hetonin çështjen. Nushi ka paraqitur ankim tek Prokurori i Përgjithshëm për zëvendësimet. Prokurori i Përgjithshëm, pasi e ka shqyrtuar ankimin e subjektit, ka vendosur mospranimin e tij, duke e konsideruar të bazuar vendimin e zëvendësimit të saj.

Mangësi janë konstatuar nga KPK edhe në lidhje me një dosje të vitit 2015 të hetuar nga Nushi në Prokurorinë e Matit, kundër një të dyshuari për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” të kallëzuar nga Posta Shqiptare. Duke konstatuar disa veprime hetimore të munguara nga subjekti, drejtuesi i prokurorisë e ka urdhëruar Nushin ndërmarrjen e tyre deri në një afat të caktuar. Megjithë vendimin e drejtuesit të prokurorisë, veprimet plotësuese hetimore nuk janë kryer nga subjekti i rivlerësimit.

Për sa i përket aftësive profesionale të subjektit, trupi gjykues i KPK-së çmon se faktet, rrethanat, veprimet, mosveprimet e saj, kanë çuar në mënyrë të përsëritur në mbyllje hetimesh dhe në cilësimin e veprave penale në mënyrë jokorrekte, në kundërshtim me rrethanat dhe faktet konkrete apo me dispozitat ligjore.

Në një vlerësim tërësor për të gjitha problematikat e konstatuara për të tre kriteret e rivlerësimit, KPK shprehet se deklarimet e pamjaftueshme të Nushit në ILDKPKI; mosdeklarimin e plotë në tatime të xhiros vjetore reale të biznesit të familjes; dyshime të arsyeshme për integritetin e figurës të ngritura nga organet ligjzbatuese dhe të konfirmuara nga informacioni i konsultuar/lexuar nga anëtarët e trupit gjykues, si dhe mangësitë profesionale të përsëritura dhe dyshime të arsyeshme për favorizime të personave nën hetim, përbëjnë shkaqe të mjaftueshme për cenimin e besimit të publikut në figurën e prokurorit.

Bazuar në provat që disponon, vlerësimin e çështjes në tërësi, si dhe bindjen e brendshme, trupi gjykues arriti në konkluzionin që prokurorja Alketa Nushi të shkarkohet nga detyra.

/BIRN/