.

Kapet në Greqi bashkëpunëtori i vrasësit të komisar Artan Cukut

Policia greke ka arrestuar një tjetër të dyshuar për vrasjen e komisar Artan Cukut, më shumë se dy vite më parë. Sipas burimeve zyrtare të policisë helene, është arrestuar shtetasi Kristaq Leci, i cili akuzohet si bashkëpunëtor i Mikel Shallarit, ekzekutori i Cukut.

30-vjeçari nga Shqipëria u arrestua dje nga autoritetet greke në Athinë pasi për të kishte një urdhër arresti ndërkombëtar.

Policia Greke Per Lecin

30-vjeçari akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e ish-oficerit të policisë Artan Cuku, të kryer në 8 prill 2017 në Tiranë, me urdhër të Bledar Jambellit, një person i arrestuar më parë nga viktima. Shqiptari i arrestuar që fshihej prej disa kohësh në Greqi, aktualisht ndodhet në Prokurorinë e Apelit të Athinës.

Ngjarja ndodhi më 8 prill të vitit 2007 dhe Leci sipas dëshmive të dala deri tani dhe hetimeve të prokurorisë ka qenë ai që ka informuar Shallarin për lëvizjet e komisar Cukut. Leci njihej edhe me emrin Gerti Kajo.

ROLI I 30-VJEÇARIT

Ka qenë vetë ekzekutori Mikel Shallari i cili ka deklaruar se qëndronte në kafazin e brendshëm të shkallëve ku banonte Cuku dhe se u njoftua me SMS nga Kristaq Leci në momentin që ish-polici po ngjiste shkallët.

“Ditën e krimit i pandehuri ishte pozicionuar para pallatit, ndërsa viktima po kthehej për në shtëpi. Në vendngjarje ai shoqërohej nga i pandehuri Kristaq Leci i cili priste tek fusha me bar aty pranë dhe e orientonte me anë të SMS-ve. Pasi viktima u shfaq dhe u fut në një supermarket pranë hyrjes së pallatit, i pandehuri u pozicionua në hyrje të shkallëve të brendshme të pallatit dhe me tu shfaqur viktima e qëlloi me të dyja armët njëherësh”,-thuhej në dosjen e siguruar nga “BalkanWeb”.

Mikel Shallari u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë, duke rrëfyer kush ishin porositësit e bashkëpunëtorët e tjërë në këtë ngjarje dhe nxjerrë emrat e Bledar Jambellit dhe Kristaq Lecit.

Shallari, ekzekutori i kryekomisarit Artan Cuku pranoi të rrëfejë njeriun që e pagoi për vrasjen duke rikthyer historinë e një arrestimi në vitin 2012, kohë kur Cuku ka qenë nëndrejtor policie në Vlorë.

Shallari i përmendi prokurorëve emrin e Bledar Jambellit, i njohur ndryshe si Rikard Muho, 38 vjeç nga fshati Mbrostar i Fierit. Jambelli ka qenë i arrestuar nga policia, si vrasës me pagesë në dhjetor të vitit 2012.

Ky arrestim, sipas Shallarit ka qenë motivi që Jambelli ka kërkuar ekzekutimin e Artan Cukut, pasi me iniciativën e tij ishin rihapur hetimet për disa vrasje në Vlorë.

(BalkanWeb)