.

Aksioni për karburantet/ Ashpërsohen masat, Balluku mesazh të fortë

Në të njëjtën kohë me aksionin e shpallur kundër informalitetit fiskal, qeveria do të ndërmarrë edhe fushatën për kontrollin e cilësisë së karburanteve.Duke i cilësuara këto të pashkëputura nga njëra-tjetra, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se duke prishur standarde dhe duke mos përmbushur rregullat cilësore në fushën e hidrokarbureve, subjektet krijojnë si derivat edhe informalitetin fiskal. Në 6-mujorin e dytë të këtij viti, Balluku paralajmëroi kompanitë se do të përballen me mbyllje të aktivitetit nëse nuk respektojnë ligjin.

20190812143440_art

“Kemi shtuar kërkesën për kritere sigurie dhe cilësie për të qenë të përgatitur për këtë fushatë të intensifikuar që ne kemi ndërmarrë. Kështu që masa të reja do të ketë. Në rastin tonë nuk është thjesht gjoba, duke qenë se flasim për cilësinë dhe duke qenë se flasim dhe për sigurinë, shpeshherë, ajo që unë kam kërkuar nga Inspektorati është që masat të jenë ekstreme deri në mbyllje të proceseve të punës, qofshin këto të rafinerive, qofshin të subjekteve tregtuese”.

Lufta kundër informalitetit cilësor, sipas ministres do të vazhdojë dhe do të intensifikohet dita-ditës.

“Në bashkëpunim me të gjitha strukturat e tjera të shtetit shqiptar, të cilat kanë veprim ligjor dhe ekonomik në monitorimin e subjekteve, do të vazhdojmë të ushtrojmë kontroll në të gjitha subjektet të cilat tregtojnë, nxjerrin apo përpunojnë hidrokarbure”. Ministrja garantoi se në këtë aksion të nisur nuk do të ketë të favorizuar, dhe se kompanitë qofshin këto të mëdha apo të vogla do të përballen me të njëjtat penalitete nëse do të konstatohen me shkelje. “Siç e ka thënë dhe Kryeministri Rama, ashtu siç e thotë dhe kolegia ime, zonja Denaj (ministrja e Financave Anila Denaj), nuk ka asnjë diferencim përmes një pike të vogël karburanti apo përmes një subjekti shumë të madh, naftë nxjerrës, tregtues, importues, eksportues. Do të jetë i njëjti trajtim për secilin lloj informaliteti, pavarësisht shkallës së biznesit apo emrit të madh apo të vogël në treg”.

SHKELJET

Për 6-mujorin e parë të vitit, kreu i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, Admir Abrija, bëri me dije se janë marrë masa administrative ndaj 44 subjekteve.

“Kryesisht të gjithë komponentët që ne kemi analizuar në fushën e hidrokarbureve i kemi konstatuar, jo në pak raste, me shkelje cilësore, kryesisht në naftë, në gaz, në gaz natyror GLN si dhe në solar. Gjatë 6-mujorit të parë janë bërë 2477 inspektime me një rritje prej 11%. Gjatë 6- mujorit të parë të vitit 2019 janë penalizuar 44 subjekte që operojnë në fushën e veprimit të Ministrisë së Energjetikës dhe janë objekt kontrolli i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial”.

MASAT

Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministrja Balluku tha po ashtu se brenda këtij viti do të nisë nga puna edhe laboratori i ri i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial në Porto Romano ku do të analizohet edhe cilësia e karburanteve.

“Brenda muajit tetor të vitit 2019, ne do të ngremë laboratorin e ri të ISHTI-t në Porto Romano për të qenë sa më afër subjekteve gjatë analizave dhe kontrollit të hidrokarbureve duke ulur kostot, si të njësisë së Inspektoratit por edhe të vetë subjekteve duke qenë më pranë tyre për të kontrolluar çdo lloj problematike”, vuri në dukje ministrja Balluku.