.

Reforma në Drejtësi si sfidë e papërmbushur


NGA LUAN RAMA/ Duartrokitje, përqafime e puthje gëzimi, çlirim si prej një makthi e një sallë me 140 deputetë të ashtuquajtur të popullit, shumica e të cilëve si rëndom në traditën e Kuvendit, votuan pa e ditur se çfarë.

Kështu mund të pëmblidhet me pak fjalë kronika e asaj nate mes 21 dhe 22 korrikut 2016, kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet në Kushtetutë, për të mundësuar fillimin e Reformës në Drejtësi, që më shumë se realitet, u bë refren gjithëfarë retorikash që ende vazhdon.

Ama deputetët votuan, dhe kjo ishte e rëndësishme, paçka se as kishin lexuar e as kishin kuptuar gjë nga çfarë po ndodhte. Fundja për çfarë u duhej? Atyre aq iu kërkua: të ngrinin dorën e të votonin. Për aq ishin, për aq duheshin e për aq vlenin. Ndër ta, shumë pak ishin marrë me projektin e paraqitur për ndryshime në Kushtetutën e Republikës, çka do t’i çelte udhë Reformës në Drejtësi, një procesi “jetik e shumë të rëndësishëm”, siç u cilësua në atë kohë. Të tjerët; një pjesë kishin patur punë me dekriminalizimin e u thirrën të votonin edhe prej gjendjes së arrestit.

Sakaq, ata që mbeteshin në mes të atyre pak që ishin marrë me reformën dhe këtyre të tjerëve me problemet e dekriminalizimit, ishin vetëm deputetë-kartonë, që pa emër hynë, pa emër qëndruan dhe pa emër ikën nga ajo sallë, e presupozuar “tempulli i shprehjes së vullnetit të sovranit”. A nuk e kishte thënë edhe Makiaveli në librin e tij të titulluar “Princi” teksa udhëzonte udhëheqësit politikë se “qëllimi justifikon mjetin”, duke e bërë librin e famshëm një traktat që u mëson tiranëve se si të ruajnë pushtetin e tyre?
Ndaj, as tri vjet më parë si në atë natën e festës së të gjithëve në sallën dhe lozhat e Kuvendit, dhe as sot, nuk ka rëndësi kush votoi e sa apo si votuan. Rëndësi ka që u votua. Ndryshimet në Kushtetutë u bënë në mesnatë, siç kish ndodhur edhe në vitin 2008!

Ndërsa sot, tri vjet më pas, kur duhej bërë një bilanc realist e transparent për çfarë ka ndodhur e po ndodh me Reformën në Drejtësi, sa ajo i përmbushi pritshmëritë e qytetarëve për drejtësi para së cilës të jenë të gjithë të barabartë, sa funksional dhe i pavarur politikisht është sistemi e çfarë ka ndryshuar për mirë nga tri vjet më parë, për ironinë e gjithë asaj feste të para tri viteve, dëgjuam vetëm retorikë suksesesh e gëzim arritjesh madhështore, ngazëllim e eufori të përdëllyer, të denja për butaforitë e pankartave të kohës së komunizmit, të cilat edhe pas 30 vitesh prej ndryshimit të sistemit, në Shqipërinë e sotme, përbëjnë tipologjinë e sjelljes politike. Reforma në Drejtësi si proces, si institucion dhe si angazhim jo thjeshtë e vetëm për të pastruar sistemin, por mbi çdo gjë, për t’a rindërtuar atë funksional dhe efikas me qëllim garantimin e drejtësisë në barazi të plotë për çdo qytetar, ishte dhe mbetet e domosdoshme, e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme, paçka se një sfidë e papërmbushur.

Për shkak të kësaj bindjeje kam votuar edhe unë tri vjet më parë, pa menduar se në vitin 2019 Reforma në Drejtësi do të përdorej si hanxhar në gojën e pushtetit për të kanosur të tjerët, do të kapej e do të deformohej, e vendi im anëtar në NATO e përsëritës prej gjashtë vitesh në pritje të çeljes së negociatave me BE-në, do të shndërrohej në vendin pa pushtetin funksional të drejtësisë. Ndaj sot nuk mund të jem dakord me të gjithë ata që heshtin për drejtësinë e munguar, për institucionet e gjymtuara dhe të kapura prej segmentesh politikë, të provuar se suportohen nga prapavijë kriminale. Por, nëse nuk mund të jem dakord me sa nënvizova më sipër, e neveris përpjekjen për t’a relativizuar procesin dhe përmes rrumbullakosjes të na e paraqesin dështimin si sukses dhe ramaformën si reformë.

Reforma në Drejtësi nuk ka nevojë për hipokrizi. Nuk ka nevojë as për eufori false dhe as për egoizëm qesharak, të shfaqur rëndon përmes protagonizmit të tepruar edhe të ndonjë përfaqësuesi prej rradhëve të misionarëve ndërkombëtarë që punojnë në Shqipëri.
Sepse kjo mënyrë vlerësimi nuk i vlen askujt, aq më pak Reformës e cila është vërtetë e rëndësishme për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, por kurrësesi nuk mund të jetë as kushti i vetëm, as përcaktues jo e jo, e aq më pak, e vlerësuar vetëm me vetingun. Reforma në Drejtësi si një proces kompleks, ka nevojë për realizëm, për vërtetësi, për transparencë dhe aftësi korrigjuese, pasi nuk është as turp dhe as faj të pranosh gabimet, me vullnetin për t’i korrigjuar ato.

Reforma në Drejtësi nuk është vetëm vetingu. Dhe as nuk mjafton vetëm vetingu për t’a paraqitur atë të suksesshme tre vjet pasi ka filluar për të mos mbërritur gjëkundi. Jo vetëm ngaqë vetë vetingu është i mangët, i vonuar dhe edhe i kompromentuar prej standardeve të dyfishta, zvarritjeve e vonesave të qëllimshme, por ta masësh suksesin e Reformës në Drejtësi vetëm me vetingun e rreth 200 gjyqtarëve dhe prokurorëve në tri vitet e pasnisjes, kur kanë mbetur edhe 600 të tjerë për t’u vlerësuar, do të thotë të mos kesh as konceptet më minimale se çfarë është e çfarë synon në thelb e në të vërtetë Reforma në Drejtësi. Vetingu është një fazë, jo më e rëndësishmja e procesit. Ai duhej të garantonte pastrimin e rradhëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga të korruptuarit dhe të paaftët. Për rrjedhojë, të krijonte terrenin e ringritjes tërësore të sistemit e konform kritereve ligjore. Dhe në këtë plan, vetingu me gjithë problemet, ia ka dalë të largojë jashtë sistemit shumë syresh. Por, standardi i dyfishtë e korruptiv, me emra prokurorësh e gjyqtarësh preferencialë e të përkëdhelur prej pushtetit, e ka sfumuar të mirën e asaj që është bërë.

Vetingu nxorri zbuluar kalbësinë e sistemit, por vendi bosh e nxjerrja jashtë funksionit e Gjykatës Kushtetuese, e Gjykatës së Lartë dhe e shumë gjykatave të tjera, në veçanti e atyre të apelit, nxorri zbuluar paaftësinë më e pakta, të atyre që e ideuan dhe projektuan reformën, pa parashikuar mënyrën e zëvendësimit të vendeve që do të mbeteshin bosh.
Vetëm kokëboshët nuk mund ta kuptojnë se çdo të thotë për një vend demokratik dhe shtet të së drejtës që të mos ketë Gjykatë Kushtetuese, të mos ketë Gjykatē të Lartë dhe që i gjithë sistemi të jetë në kolaps të plotë! E prej kokëboshësisë së tyre, ata marrin guximin të na e paraqesin Reformën në Drejtësi të suksesshme!

Nëse njëri nga problemet kryesore të Reformës mbetet numri i madh i subjekteve të rivlerësimit (askush, as zonja Calavera që shfaqet më entuziaste në këtë proces, nuk di të thotë se edhe sa vite do të duhen për rivlerësimin e 600 të mbeturve), problemi kryesor shfaqet me KLGJ-në ( Këshilli i Lartë Gjyqësor) dhe KLP-në (Këshilli i Lartë i Prokurorisë), sepse çështja për t’u zgjidhur është zëvendësimi dhe jo vetingu. KLGJ për shembull nuk ka miratuar akoma rregulloret për kriteret që duhet të përmbushin kandidatët që vijnë nga gjyqësori për në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që u deshën shtatë muaj për kandidatët që vijnë nga jashtë gjyqësorit, pa folur më tej për mosplotësim të detyrave që “Ligji për organet e qeverisjes së të drejtësisë” parashikon për KLGJ-në dhe KLP-në dhe që kanë të bëjnë me planifikimin strategjik, etikën gjyqësore, etikën e prokurorit e kështu me rradhë, ç’ka në fakt janë çështje që meritojnë të analizohen me vëmendje.
Tri vjet që prej miratimit të Reformës në Drejtësi, nuk është krijuar ende institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili referuar ligjit, është autoriteti shtetëror përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë.

Do të duhej të kishte nisur nga puna që në gjysmën e parë të vitit 2017, por ka nisur gjysma e dyte e vitit 2019 dhe ky organ nga më të rëndësishmit ende nuk është konturuar, e jo më të bëhet fjalë për nisjen nga puna. Paragjykimi prej kriticizmit të shfaqur gjatë diskutimit e më pas edhe pas miratimit, në mënyrë të veçantë prej disa diplomatëve që flasim ex cathedra, e ka dëmtuar objektivitetin e vlerësimit, e për rrjedhojë edhe të analizës realiste të Reformës. Sistemi i referimit nuk mund të jetë çfarë është bërë, por çfarë duhej të ishte bërë në këto tri vjet referuar detyrimeve kushtetuese dhe ligjore.

E nëse e vlerësojmë Reformën në Drejtësi me çfarë duhej të ishte bërë që prej miratimit tri vjet më parë ne zbatim të detyrimeve dhe afateve kushtetuese dhe ligjore, sot askush nuk do të duhej të mburrej. Sepse drejtësia si një nga tre pushtetet në një sistem demokratik, në Shqipëri nuk ekziston. Ajo është më keq se para nisjes së reformës.
Vendi nuk ka institucione të drejtësisë e drejtësia vetë, edhe aq sa është ashtu e mangët dhe e korruptuar ende, nuk ka organe të qeverisjes së sistemit. Edhe ato që janë krijuar me shumë vonesë e me përbërje problematike, pasi gjenden në to individë që kanë probleme me ligjin, nuk ia kanë dalë të bëjnë deri tani ndonjë punë të dobishme.
Gjykatë Kushtetuese nuk ka e i gjithë procesi legjislativ në vend, kryhet pa kontroll e vlerësim prej organit që e ka tagër kushtetues këtë atribut. E po të shtojmë ketu edhe konfliktin ndërinstitucional, krizën kushtetuese, krizën parlamentare, krizën politike, krizën e qeverisjes dhe mbi të gjitha krizën e besimit ndaj sistemit, nuk do shumë mend për të kuptuar anomalinë absurde që solli si pasojë Reforma e projektuar pa parashikuar të gjitha efektet e saj. Por Shqipëria nuk ka as Gjykatë të Lartë, e sot jemi para kushteve kur për shkak të mosfunksionimit të saj, shumë të akuzuar si kriminelë për vepra të rënda penale, mund të dalin të lirë për shkak të konsumimit të afateve të hetimit e paraburgimit.

Gjykatat e apelit e të tjerat në shumë rrethe gjyqësore, nuk kanë kapacitete njerëzore të përmbushin detyrimet ligjore, edhe pse po aplikohet modeli i gjyqtarëve shëtitës, që merren nga një gjykatë për të plotësuar gjykatën tjetër. Ndërsa prokuroria përbën një tjetër absurd. Prej dy vitesh me një prokurore të emëruar politikisht për të kryer detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, organi i hetimit krejtësisht i paralizuar dhe jashtë funsionit, ia ka dalë që me mosveprimin e vet, të rënojë edhe më shumë besimin që asnjëherë nuk ka ekzistuar ndaj saj.

Nuk është krijuan ende SPAK-u (Struktura e Posaçme Antikorrupsion), nuk është krijuar as BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit) dhe as Gjykata e Posaçme.
Dhe të mos harrojmë se qoftë për gjykatat e qoftë për prokurorinë, po flasim vetëm në aspektin formal funksional të tyre, pa hyrë në analizë të detajuar të cilësisë së vendimeve m, paanësisë ligjore dhe efikasitetit në zbatimin e ligjit. Kjo është e vërteta nëse duam ta shohim atë ashtu siç është, e nëse duam që drejtësia të jetë pushtet që bën drejtësi në një shtet të së drejtës, siç është në çdo vend normal demokratik, siç është edhe në vendet prej nga na kanë ardhur që të na ndihmojnë edhe përfaqësuesit e ONM-së, edhe ata të EURALIUS-it, edhe ambasadorët e nderuar që shumë mirë bëjnë që na mbajnë leksione për Reformën në Drejtësi, pavarësisht se në Shqipëri nuk ka ende as Drejtësi dhe as Reformë të saj.