.

Prokurorë belgë në Tiranë për “Toyota Yaris”, ja kur do pyetet Basha

Një grup prokurorësh federalë belgë, do të asistojnë në pyetjen e kryeopozitarit Lulzim Basha për çështjen e njohur si ‘Toyota Yaris’.

Zyrtarisht prokuroria për Krime të Rënda tha se kreu i PD-së është ftuar të paraqitet me datë 25 korrik dhe do të japë shpjegime për denoncimin që bëri në Kuvend, dy ditë pas të cilit u bllokuan në portin e Durrësit automjetet që vinin nga Belgjika, në të cilat ishte fshehur shuma prej 3.4 mln euro. Ai pritet të japë shpjegime se cili ishte burimi i informacionit.

“Përfaqësues të Prokurorisë Federale të Belgjikës kanë mbërritur në Shqipëri me qëllim vijimin e kryerjes së veprimeve proceduriale të kërkuara dhe të lejuara nga autoritetet gjyqësore shqiptare. Këto veprime konsistojnë në marrjen në pyetje të personave të pandehur si dhe marrjen në pyetje të shtetasit Lulzim Basha ditën e ditën e enjte datë 25 korrik 2019”, njofton zyrtarisht prokuroria.

Belgjika prej disa muajsh po heton paralelisht me Shqipërinë për të zbuluar personat e implikuar në pastrimin e parave. Aksioni për bllokimin e eurove u finalizua me 24 qershor të vitit të kaluar.

Paratë ishin fshehur në dy nga shtatë Toyotat e blera në shtetin belg. Në pranga përfunduan pesë persona, ndërsa në kërkim janë shpallur dy kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi.

(BalkanWeb)