.

LAJM I FUNDIT/ KPK konfirmon në detyrë Olsian Çelën, kandidat për kryeprokuror

 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar sot në detyrë, Prokurorin e Krimeve të Rënda, Olsian Çela, i cili është njëherësh kandidat për postin e kryeprokurorit.

Komisioni vetingut tha sot se Olsian Çela ka kaluar tre fazat e procesit të verifikimit dhe për rrjedhojë është konfirmuar në funksionin e Prokurorit të Krimeve të Rënda.

KUSH ËSHTË OLSIAN ÇELA

Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, është i pari që shpalli kandidaturën e tij për vendin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa kanë mbetur edhe 9 ditë nga përfundimi i afatit.

Edhe më herët, emri i prokurorit Çela është përmendur si një kandidaturë e mundshme, ashtu si edhe ajo e Prokurores së përkohshme të Përgjithshme, Arta Marku, e cila ende nuk ka kandiduar zyrtarisht.

“Kandidatura e parë për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm është regjistruar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Prokurori Olsian Çela ka dorëzuar dokumentacionin përkatës”, njoftoi këtë të enjte KLP-ja.

Kujtojmë se gara për Prokuror të Përgjithshëm u hap më 29 mars dhe deri më tani është vetëm një kandidat, ndërkohë që të interesuarit kanë edhe 9 ditë kohë, pasi brenda 30 ditësh, prokurorët që shprehin interesin duhet të dorëzojnë dokumentacionin e parashikuar në ligj.

Më herët drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda dhe aktualisht prokuror në këtë Prokurori, Olsian Çela ishte pjesë e 10 prokurorëve që u “përplasën” me drejtuesen e përkohshme të Prokurorisë së Përgjithshme, Arta Marku, në lidhje me dosjen “Shullazi”.

Në atë kohë, Marku e transferoi Çelën në Prokurorinë e Beratit, si masë ndëshkuese për kundërshtimin që ai dhe disa prokurorë të tjerë i bënë shortit për përzgjedhjen e prokurorëve që do lexonin pretencën ndaj Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë. Mirëpo, vendimi i Markut u rrëzua nga Gjykata Administrative dhe më pas Këshilli i Lartë i Prokurorisë e riktheu atë në detyrë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Më parë, prokurori Olsian Çela ka punuar edhe në Prokurorinë e Tiranës, pasi përfundoi Magjistraturën në vitet 1998- 1999 me temën: “Veprat penale kundër shëndetit dhe problemet e praktikës gjyqësore”. Prokurori Olsian Çela ka kryer edhe një sërë trajnimesh dhe specializimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë për hetimin e trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, ndërkohë ka kandiduar edhe për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).

KRITERET

Sipas rregullores së miratuar nga KLP-ja, një prokuror, që të kandidojë për të qenë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, duhet që të ketë 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur. Të jetë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të ketë gradë shkencore në drejtësi. Të mos ketë mbushur moshën e daljes në pension. Të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit, para dorëzimit të shprehjes së interesit për Prokuror të Përgjithshëm, funksione politike në administratën publike. Të mos ketë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit pozicione drejtuese në partitë politike. Të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit. Të mos ketë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale. Të mos ketë qenë bashkëpunëtor, informatorë ose agjent i Shërbimeve të Inteligjencës dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi.