.

Shkarkimi i Gjokës, zbulohen prapaskenat te Kukësi

Ernest Gjoka nuk ësh të më trajner i Kukësit. Nuk kaluan shumë orë nga eliminimi në Ligën e Europës dhe për më tepër nga deklarata e presidentit Safet Gjici në “Panorama Sport” dhe menjëherë klubi zyrtarizoi shkarkimin përmes një njoftimi nga “Facebook”.

Sipas motivacionit zyrtar të klubit, shkak u bë moskalimi i turit të parë në përballjet me hungarezët e Debrecenit, teksa nuk mjaftoi fakti që Kukësi e mbylli i dyti kampionatin dhe fitoi Kupën e Shqipërisë me Gjokën në krye. Ky i fundit e drejtoi ekipin verilindor nga data 10 prill deri më 18 korrik.

“Trajneri Ernest Gjoka nuk do të jetë më në krye të Kukësit. Vendimi është marrë pas rezultateve zhgënjyese të ndeshjeve kualifikuese të Ligës së Europës. Klubi ynë, trajnerit Gjoka i ka dhënë gjithë mbështetjen e mundshme, sidomos pas rikthimit të tij në krye të pankinës. FK Kukësi falënderon trajnerin Gjoka për punën e bërë në krye të ekipit. Shumë shpejt, klubi do të njoftojë për emrin e trajnerit të ri, i cili objektiv kryesor do të vijojë të ketë fitimin e titullit kampion, Kupës së Shqipërisë si dhe përfaqësim sa më dinjitoz në Kupat e Europës”, citohej dje në njoftimin e klubit. Gjoka e drejtoi Kukësin në 14 ndeshje, përfshi këtu kampionatin, Kupën dhe Ligën e Europës, duke arritur në total 8 fitore, 3 barazime dhe duke pësuar vetëm 3 humbje, dy në kampionat ndaj Skënderbeut dhe Luftëtarit, dhe një në Ligën e Europës kundër Debrecenit në transfertë.

PËRPLASJET

Pas largimit të tre trajnerëve (Peter Pakult, Armando Cungu dhe Ramazan Ndreu) dhe kur sezoni ishte shumë afër dështimit, presidenti Gjici i shtriu dorën sërish trajnerit Ernest Gjoka, i cili kishte pak javë që ishte larguar nga drejtimi i Kamzës. Dakordësia që trajneri Gjoka të fitonte një kontratë për sezonin e ri ishte renditja e ekipit minimalisht në vendin e dytë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë.

Këta dy objektiva u arritën, por kjo nuk mjaftoi dhe pakti u prish pas eliminimit të Kukësit në turin e parë të Ligës së Europës. Po, a ishte vetëm kjo arsyeja e vetme e shkarkimit të djeshëm?!“Panorama Sport” zbulon edhe prapaskenën me 49- vjeçarin. Deri në përfundim të kampionatit, marrëdhëniet mes trajnerit, drejtorit Nexhipi dhe presidentit Gjici kanë qenë të shkëlqyera. Krisja ka ardhur pas largimit të brazilianit Uilliam Melo. Ky i fundit nuk kishte pëlqimin e trajnerit Gjoka, veçanërisht për karakterin. Këtë fakt trajneri ia kishte thënë disa herë presidentit Gjici.

Mirëpo, mes refuzimit të drejtorit Nderim Nexhipi për të mos e lënë të largohej dhe Gjokës që e kishte nxjerrë jashtë planeve, presidenti Gjici dëgjoi trajnerin. Ky ka qenë edhe ngërçi që ka ndikuar më pas në raportet mes trajnerit, drejtorit dhe presidentit. Fakti që Melo firmosi për Partizanin u prishi “terezinë” drejtuesve të Kukësit, pasi nuk mund të “falej” një lojtar me kualitet për të forcuar rivalin.

Mësohet se presidenti Gjici, jo drejtpërdrejt, por me vartësit e tij, ka fajësuar Gjokën për këtë largim me peshë. Këtu ka nisur “përplasja” në mënyrë të tërthortë, e cila ka vijuar te merkatoja, ndeshjet miqësore, nga të cilat presidenti Gjici nuk ka mbetur i kënaqur dhe është finalizuar me eliminimin nga Liga e Europës, si dhe deklaratën e fortë në gazetë.

PRECEDENTËT

Gjoka është futur në historinë e Kukësit si trajneri që fitoi titullin e parë kampion me klubin verilindor, duke i udhëhequr në sezonin 2016- 2017 për 35 javë pa humbje. Por, nga vera e 2017-ës dhe deri më tani, raportet e klubit me trajnerët nuk kanë ndryshuar, për të mos thënë janë rënduar.

Në korrik të vitit 2017, Kukësi humbi 1-0 në Moldavi ndaj Sherif Tiraspolit pas një ndeshjeje të shkëlqyer, ndërsa në kthim fitoi 2-1 në “Elbasan Arena” dhe u eliminua nga Liga e Kampioneve. Drama më e madhe ishte humbja e penalltisë nga Pero Pejiç, por edhe shumë raste të pastra.

Pas atij takimi, trajneri Gjoka lajmin e largimit e mori pikërisht nga njëri prej drejtuesve administrativë me telefon. Pra, ai largim në atë mënyrë, duke i sjellë titullin e parë Kukësit, nuk u prit mirë nga opinioni publik, nga tifozët dhe sigurisht vetë Gjoka. Po ku jemi sot?! Situata është thuajse identike./panoramasport