.

PS kërkesë për shkarkimin e Malajt për shkelje të Etikës, reagon Banka e Shqipërisë


Banka e Shqipërisë ka reaguar pas kërkesës së PS-së për të shkarkuar anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të këtij institucioni, Arben Malaj.

Në një deklaratë, ndonëse nuk përmend emrin e Malaj, Banka e Shqipërisë ka sqaruar kodin e etikës së institucionit, duke përmendur edhe rastet që përbëjnë shkelje etike.
Sipas deklaratës, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës duhet të veprojnë në interesin më të mirë të Bankës së Shqipërisë, si dhe të sistemit bankar në Shqipëri.

“Kodi i Etikës përcakton shprehimisht se çdo veprimtari tjetër e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, e cila kryhet jashtë detyrave të tij të përcaktuara në Ligjin për Bankën e Shqipërisë, nuk duhet të ketë ndikim negativ mbi detyrimet që ai ka ndaj Bankës së Shqipërisë dhe nuk duhet të dëmtojë imazhin e saj. Kodi i Etikës parashikon vetëm një rast kur anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës i lejohet të ndajë qëndrimet e veta nga ato të Bankës së Shqipërisë. Në publikimin e artikujve shkencorë, apo akademikë, anëtari mund të qartësojë se artikulli mund të mos përfaqësojë qëndrimin zyrtar të Këshillit Mbikëqyrës apo të Bankës së Shqipërisë“, thuhet në deklaratë.

Sipas Bankës Qendrore, çdo antar i këshillit Mbikqyrës ka të drejtë të ndajë qëndrimet e veta në artikujt shkencorë por duhet ta qartësoje se këto qëndrime nuk përfaqësojnë institucionin financiar në të cilin ai bën pjesë.

“Në publikimin e artikujve shkencorë, apo akademikë, anëtari mund të qartësojë se artikulli mund të mos përfaqësojë qëndrimin zyrtar të Këshillit Mbikëqyrës apo të Bankës së Shqipërisë”, saktësohet në deklaratë.