.

Muç Nano numëron arsyet: Sulmet ndaj Soros, majmunëri. Rama është miku i tij më i mirë në Shqipëri, por…

NGA MUSTAFA NANO
E dini ju që unë i kam dhënë dorën George Sorosit? Ka ndodhur shumë vite më parë, ndoshta 10 vite më parë. Nuk është ndonjë gjë e çuditshme, ka shumë njerëz në Shqipëri që i kanë dhënë dorën George Sorosit, sepse ai ka ardhur më shumë se një herë këtu dhe është takuar me shumë njerëz, sidomos me anëtarë të bordit “Soros”, një nga të cilët isha dhe unë atëherë kur erdhi George Soros. E filloj këtë monolog, duke pranuar që kam qenë anëtar i fondacionit “Soros” për një periudhë të caktuar. Puna ime konsistonte në faktin që bashkë me ca të tjerë merrnim ca vendime për të shpërndarë ca para që ishin të Sorosit, në lidhje me disa projekte të ndryshme, në ndihmë të popullsisë rome, në ndihmë të shkollave, në ndihmë të mediave, në ndihmë të sistemit të drejtësisë, edhe në ndihmë të sektorëve të tjerë të botës shqiptare. Ishin para në nivelin e mijëra dollarëve. Për çdo projekt jo më shumë se 20 mijë dollarë. E gjithë shifra që Sorosi mund të ketë investuar në Shqipëri nga pozitat e bamirësit jo si investitor apo industrialist, mund të arrijë disa miliona euro. Po them 50 mln, 60 mln euro ose 100 mln euro në harkun e 20 viteve të fundit.
Sorosi është biznesmen, bamirës, autor librash, por mbi të gjitha është aktivist politik. Ai ka idetë e veta, ai është progresist, me gjuhën e Tiranës, ai është i majtë. Edhe në Amerikë konsiderohet i majtë. Teza e tij kryesore që provokon shqetësim te konservatorët, ka të bëjë me faktin se Sorosi mendon që kufijtë në këtë botë janë një gjë simbolike. Kjo botë u përket të gjithëve. Europa, Anglia, Gjermania, Franca, qoftë edhe Shqipëria, janë vende ku mund të banojnë shumë mirë afrikanët dhe aziatikët. Kjo gjë ka provokuar shqetësim te konservatorët qysh nga momenti kur Trump ka ardhur në pushtet dhe ka nisur një diskutim i madh në Amerikë midis konservatorëve dhe Trump. Kritika të jashtëzakonshme janë bërë në adresë të Sorosit dhe ky diskutim është përcjellë edhe në botë, edhe në Europë. Në pjesën serioze të Europës nuk ka pirë ujë si diskutim. Në pjesën tjetër të Europës, atë më të prapambetur, duke filluar qysh nga Hungaria e Viktor Orban, është një diskutim që po mbahet gjallë edhe sot e kësaj dite.

Këtu në Shqipëri, Sorosi ka hyrë gati 20 vjet më përpara dhe në ndryshim nga orientimi progresist dhe i majtë që ka pasur kudo nëpër botë, në Shqipëri është përpjekur ta mbajë këtë lloj orientimi me mënyrën e financimeve. Në bordet e Soros kanë qenë të majtë dhe të djathtë. Ka qenë Genc Ruli, Artan Hoxha, Edmond Leka, Artan Fuga, Fatos Lubonja, që sot janë në krahun e njerëzve që e kritikojnë fort Sorosin. Organizata e Soros ka qenë bipartizan, e majtë dhe e djathtë. Kanë marrë të djathtë plot financime dhe projekte edhe kur nuk kanë qenë anëtarë të strukturave të Soros.

Pse ky debat lidhur me Sorosin ka ngjitur shumë në Shqipëri, sidomos mes klasës politike shqiptare? Ka disa arsye të rëndësishme që këtë debat e kanë shumë përzemër njerëzit e politikës shqiptare, sidomos njerëzit në opozitë. Edi Rama, duhet ta themi qartë këtë gjë, është një mik i Sorosit. Është miku më i mirë i Sorosit në Shqipëri. E dyta, sulmi ndaj Sorosit i disa prej politikanëve shqiptarë të opozitës ka të bëjë edhe me një gjë tjetër. Është një sulm që të jep vizibilitet ndërkombëtar. Qëllon që të bëhesh lajm ndërkombëtar kur i sulesh Sorosit, sidomos kur je eksponent i rëndësishëm i politikës shqiptare, siç është Ilir Meta, i cili para disa ditësh e bëri këtë sulm dhe menjëherë e raportoi edhe një nga televizionet më të mëdha në Amerikë, “Fox News”. Një arsye tjetër e këtij sulmi ka të bëjë me faktin që në njëfarë mënyre këta politikanë justifikojnë dhe rezistencën që ata vetë i bëjnë Reformës në Drejtësi. Kanë arsyet e tyre. Duke u marrë me Sorosin, është një alamet alibie. Pra, ne po i bëjmë rezistencë Reformës në Drejtësi, pasi kjo reformë është e financuar nga Sorosi, është e projektuar nga Sorosi, është e dizajnuar nga Sorosi, gjë që nuk është e vërtetë. Është e financuar pjesërisht dhe vetëm kaq. E treta, mendoj se mund ta kenë si alibi për nesër, sepse Reforma në Drejtësi mund të ketë viktimat e veta dhe këto viktima mund të thonë po na ndëshkojnë politikisht sepse jemi antisorosianë dhe po na ndëshkon një drejtësi e bërë sipas shijeve dhe oreksit të Sorosit.

Sulmi ndaj Sorosit është një majmunëri. Sorosi nuk ka lidhje me Shqipërinë. Sorosi thjesht ka qenë një bamirës për Shqipërinë. Nuk ka asnjë lloj interesi në Shqipëri. Nëse Shqipëria është kjo që është sot, nuk është për faj të Sorosit. Në qoftë se Shqipëria është kjo që është sot, është për faj të ca njerëzve, të cilët një dorë e vogël e tyre bën vaki të kenë para më shumë sesa paratë që ka derdhur Sorosi në Shqipëri. Është e sigurt se ka një dorë politikanësh në Shqipëri që kanë në xhepat e tyre, të tyret personale, më shumë para sesa Sorosi ka derdhur në Shqipëri në harkun e 20 viteve të fundit.

Marre nga “Provokacija”/ ABCNews