.

Si të ruajmë shëndetin tonë gjatë stinës së nxehtë të verës


Së bashku me verën vjen edhe rreziku i goditjes nga i nxehti. Për këtë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë filluar një fushatë sensibilizimi me këshilla sesi të mbrohemi nga temperaturat e larta.

I nxehti, gjatë stinës së verës, mund të shikohet si një lehtësim nga dimri i ftohtë, por kur ato arrijnë vlera të larta, mund të përbëjnë një rrezik për shëndetin e popullatës.

Efektet e temperaturave të larta në shëndet ndodhin kur sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit tonë nuk arrin të shpërndajë nxehtësinë e tepërt. Këto efekte do të varen nga koha e ekspozimit ndaj këtyre temperaturave, shpeshtësia e ekspozimit si dhe intensiteti i ekspozimit.

Gjithashtu, këto efekte varen edhe nga mosha dhe gjendja shëndetësore. Të moshuarit përbëjnë grupin më të madh të rrezikuar nga temperaturat e larta, pasi ata shpesh vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike.

Me rritjen e moshës, aftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e trupit bie, tek ata ulet toleranca ndaj nxehtësisë, etja ndihet vonë, reagimi i djersitjes është i vonuar dhe numri i gjëndrave të djersës është i reduktuar.

Gjendja shëndetësore e individëve që vuajnë nga sëmundjet kronike rëndohet si pasojë e dëmtimit të disa mekanizmave përshtatës ndaj temperaturave të larta: Të sëmurët kardiovaskularë kanë dëmtim të përgjigjes së termorregullimit, përgjigje e reduktuar e sistemit kardiovaskular dhe rrezik të lartë për trombozë koronare dhe cerebrale. Tek ata ndodhin ndryshime në funksionin e veshkave, të cilat mund të shkaktojnë çrregullime të ritmit të zemrës. Ata që vuajnë nga hipertensioni, mund të bëjnë një rënie të papritur të presionit arterial, e cila mund të çojë në ishemi cerebrale.

Te të sëmurët me diabet dhe sëmundje të tjera endokrine, rëndimi i gjendjes shëndetësore është i lidhur me çrregullimin e qarkullimit të gjakut në lëkurë, e cila mund të luajë një rol në reduktimin e shpërndarjes së nxehtësisë, gjithashtu djersitja reduktohet dhe ndodhin ndryshime metabolike.

Tek individët me SPOK, astmë dhe bronkit kronik, rëndohet gjendja shëndetësore sipas efektit të kombinuar midis temperaturës së lartë dhe ajrit të ndotur. Për shkak të hiperventilimit dhe të dispense, këta të sëmurë kanë vështirësi në shpërndarjen e nxehtësisë dhe dehidrimi pengon nxjerrjen e sekrecioneve nga rrugët e frymëmarrjes.

Gjithashtu, përdorimi i disa medikamenteve mund ta rëndojë gjendjen shëndetësore të të sëmurëve kronikë. P.sh., medikamentet antidepresive çrregullojnë aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën trupore, antihistaminikët ndikojnë në aftësinë e trupit për t’u djersitur. Gjithashtu, edhe betabllokuesit që merren për të kontrolluar HTA, ndikojnë në djersitjen e trupit të individit.

Nëse ju apo dikush tjetër nuk ndihet mirë: Kërkoni ndihmë nëse ndiheni i turbulluar apo i këputur, nëse keni dhimbje koke, gjendje ankthi apo etje shumë të madhe dhe të vazhdueshme.

Zhvendosuni menjëherë në një mjedis të freskët dhe matni temperaturën e trupit. Pini ujë apo lëng frutash për t’u hidratuar. Nëse njëri nga pjesëtarët e familjes ka lëkurë të nxehtë dhe të thatë, dridhje të forta apo gjendje të fikëti, lajmëroni menjëherë mjekun e ambulancës.

Ndërsa prisni për ndihmë, zhvendoseni të sëmurin në një dhomë më të freskët, vendoseni në pozicion horizontal mbështetur në njërën anë, ngrijani këmbët pak nga pozicioni horizontal, mundohuni ta freskoni duke e lagur me ujë.