.

Kosova, Shqipëria dhe BE


KOÇO KOKËDHIMA

Drejtimi i ri në Bashkimin Europian do të jetë një sfidë veçanërisht për shqiptarët e Kosovës. Edhe pse politika e Prishtinës i ka mirëpritur emrat e rinj, ka shumë skepticizëm për ndihmën që do të ketë Kosova nga Brukseli, veçanërisht në kohën kur Shqipëria është e zhytur në krizë të thellë. Shefi i ri i diplomacisë europiane, ministri i Jashtëm spanjoll Josep Borrell, do të rikthehet në krye të politikës së jashtme të BE-së, pasi shërbeu si president i Parlamentit Europian në vitet 2004-2007. Ai përfaqëson Spanjën, një nga 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe ndryshe nga paraardhësja, italiania Federica Mogherini, nuk shihet si ndihmues për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. E kuptoj përgjigjen diplomatike të ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, kur thotë se qeveria e Kosovës nuk beson që politika e jashtme e BE-së të varet nga origjina kombëtare e një vendi apo politikani të BE-së. Por e paramendoj qëndrimin e diplomatit spanjoll ndaj Kosovës qoftë edhe me atë episod që tregoi Pacolli, se si Borrell, në Samitin e Sofjes për Ballkanin Perëndimor, refuzoi të ulet në një tavolinë me Presidentin e Kosovës, Thaçi.

‘Hidhërimi’ në Kosovë është, afërmendsh, gëzim në Serbi, edhe pse Presidenti Vuçiç thotë se zgjedhja e Borrell “është një lajm i mirë për ne, por situata mbetet e vështirë dhe nuk zgjidhet çështja e Kosovës me atë që kemi një ose dy njerëz në anën tonë”.

Shpresat e Kosovës, megjithatë, mbeten tek ardhja në krye të Komisionit Europian e gjermanes Ursula von Der Leyen, bashkëpunëtore e vjetër e Kancelares Merkel dhe besohet edhe e politikës së saj në mbështetje të Kosovës.

Sipas mediave kosovare, me Josep Borrellin në krye të Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, pozicioni i Kosovës në dialogun me Serbinë do të jetë më i vështirë, pasi diplomati spanjoll ka mbajtur qëndrim të ashpër kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe, për më tepër, ai nuk ka kursyer as vendlindjen e tij, Katalonjën, duke u shprehur kundër ndarjes nga Spanja.

Në këtë kohë, kur drejtimin e diplomacisë së BE-së e merr një kundërshtar i Kosovës së pavarur, Prishtina zyrtare nuk mund të ndihmohet as nga Shqipëria. Kjo e fundit bën më shumë demagogji me mbledhjet e përbashkëta të qeverive, apo thirrjet intimiduese ndaj fuqive të mëdha se, po nuk iu dhanë vizat Kosovës dhe po nuk iu hapën negociatat Shqipërisë, ato do të bashkohen në një shtet.

Shqipëria sot është në pozitën më të keqe diplomatike në sytë e botës. Ka mbyllur një farsë votimesh monopartiake që qeveria të rrëmbejë edhe pushtetin vendor; ka paralajmërimin për rikthim të regjimit të vizave nga komisioneri për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos, për shkak se numri i azilkërkuesve u rrit me 30 për qind në katër muajt e parë të vitit 2019; Brukseli sapo rrëzoi një kërkesë të Mbretërisë së Holandës për rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë, pas shqetësimit për rritjen e krimit të organizuar dhe numrit të azilkërkuesve, ndërsa edhe Franca ka pasur disa herë apele për të ndaluar fluksin e azilkërkuesve ekonomikë nga Shqipëria.

Me këtë imazh të rënë përtokë, Shqipëria është e ftuar në Konferencën e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Poznan të Polonisë, në kuadër të nismës të njohur si Procesi i Berlinit, të iniciuar nga Kancelarja Merkel. Ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat duan anëtarësim në BE, radio shtetërore gjermane DW citonte vetëm Kryeministrin Zaev si më të preferuarin e zonjës Merkel për t’u marrë shembull në rajon.

Dy javë më parë ishte Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, që kërkoi ndarjen e vendit të tij nga Shqipëria në procesin e hapjes së bisedimeve me BE-në, në tetor, sepse ‘çiftëzimi’ me të do ta pengonte Shkupin zyrtar në këtë proces.

Një Shqipëri në kaos politik dhe institucional vetëm sa e dëmton Kosovën, aq më pak të pretendojë ta përfaqësojë dhe ta mbrojë. Prandaj, edhe për këtë arsye, në Tiranë duhet të nisë sa më parë zgjidhja e krizës së rëndë politike.

Partia ‘Zgjidhja’ e ka deklaruar shpeshherë se zgjidhja duhet të vijë nga brenda, me një marrëveshje konsensuale dhe gjithëpërfshirëse, mes të gjithë aktorëve politikë, grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe intelektualëve të pavarur për reformimin e Kushtetutës e të zgjedhjeve dhe për demokratizimin e vendit.

Vetëm një Shqipëri demokratike dhe jo peng i partitokracisë dhe ambasadorokracisë do të ishte e zonja e vetes brenda dhe jashtë si dhe do të arrinte të mbronte kauzën e drejtë të Kosovës si një shtet i pavarur, me kufij të paprekshëm, e respektuar dhe e pranishme si e tillë në çdo tavolinë bisedimesh të diplomacisë së huaj, edhe pse aty nuk do të denjonte të ulej ndonjë ministër ‘antiseparatist’, edhe kur është fjala për vendlindjen e tij.