.

Gënjeshtrat e mjera, fshehur si statistika


ARTAN FUGA

Manipuluesit e statis tikave nuk duan ta lexojnë shifrën që as 20 për qind e votuesve shkuan në votime. Naivisht japin argumente që kushdo, i cili do t’i quante si të vërteta, do të meritonte të mbetej për vjeshtë. Argumenti i parë manipulues: ne që votuam 15 ose 20 për qind për qeverinë, bëmë zgjedhjen tonë, ata që nuk erdhën për votime, nja 80 për qind të mira, bënë zgjedhjen e tyre, pra, jek e jek jemi!!! Po, secili bëri zgjedhjen e tij. Mirëpo, tani, pushteti lokal mbështetet në një pakicë minimale votuesish, edhe qeveria, kurse demokracia është qeverisja e shumicës, tjetër kriter nuk ka.
Çfarë të bëjmë?
Ose nuk jemi në qeverisje demokratike.
Ose demokracia mund të menaxhohet nga pakica.
Ose na duhet t’i japim zgjidhje problemit.

Argumenti i dytë manipulues: e mo mos numëroni edhe emigrantët, ata janë të regjistruar, por dihet që ndodhen jashtë Shqipërisë!!!

Po, ka emigrantë të regjistruar, që nuk ndodhen në Shqipëri. Por, kush ju tha se po të ishin këtu, ata do të vinin të votonin?

Si ta gjejmë këtë?

Do të regjistroheshin të gjithë të ikurit, pra, do të shtohej edhe sasia e votuesve potencialë.

Nga e nxorët këtë o statisticienë budallenj, që do të rritej vetëm përqindja e votuesve?

Më e pakta, edhe aty do të ishte e supozuar e njëjta ndarje 8 me 2, nëse do të supozohej që elektorati është probabilisht homogjen. Do të shtohej shifra e votuesve, por do të shtohej edhe shifra e të regjistruarve në listat elektorale. Rezultati në përqindje do të mbetej i pandryshuar.

Aq më tepër që meqë ikin njerëzit e pakënaqur, ka pak shanse që emigrantët e ikur nga sytë këmbët kohët e fundit të dëgjonin thirrjet e qeverisë për të vajtur në kutitë e votimit.

Por edhe po të shtohej numri i votuesve, sa do të shtoheshin? Ja, po ju jap 300 mijë të ikur të regjistruar si votues. Po të mbahej si kriter një raport 8 me 2, del se do të shtoheshin edhe nja 60 mije votues. Ja shtojini edhe këta. Nuk ndryshon gjë

Argumenti i tretë manipulues: qeveria paska marrë po të njëjtin numër votuesish si më parë!!!

Po, sigurisht, kur shkon te kufiri minimal i votuesve nuk mund të zbresësh më poshtë sesa aq. Është pakica që sundon, ajo nuk mund të votojë kundër vetes.

Problemi në këto zgjedhje është që 85 për qind e zgjedhësve nuk erdhën në votime sikurse bëri thirrje opozita.

Kjo është matja.

Jo sa vota ke marrë ti, por sa zgjedhës janë njehsuar me qëndrimin e opozitës, pra, sa ka marrë kundërshtari yt!

A dëgjuan të gjithë abstenuesit opozitën për të mos ardhur në zgjedhje?

Sigurisht që jo.

Por, ndërkohë ,sigurisht që nuk dëgjuan qeverinë për të ardhur në votime, amà.
Dhe sigurisht që me ndërgjegje pranuan të njehsoheshin me qëndrimin e
opozitës.
Ja pra, përse rezultati është fiks 8 me 2 ose më keq dhe aspak ndryshe.