.

Përfundon takimi i Bashës me aleatët, Shehi flet për vendimin e Kolegjit: Nuk i njohim zgjedhjet, ja ç’do bëjmë këtë javë

Ka përfunduar takimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha me aleatët, takim i cili u zhvillua në ambientet e selisë blu, për të diskutuar rreth aksionit të mëtejshëm të opozitës.

Pas përfundimit të takimit, në një prononcim për mediat, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi tha se opozita do të vijojë me rezistencë më të madhe gjatë kësaj jave, ndërsa shtoi se nuk do t’i njohin zgjedhjet.
Vendimin e Kolegjit Zgjedhor, Shehi e ka konsideruar si vendimin e disa “fatkeqëve që i ka rënë rasti të marrin disa vendime të vështira për veten e vet”.

“Këto nuk janë zgjedhje ne nuk i njohim, ne do ndjekim dekretin e Presidentit. Kolegji nuk ka marrë ndonjë vendim, Kolegji është një fantazmë në këtë mes, janë disa fatkeqë që i ka rënë rasti të marrin disa vendime të vështira për veten e vet. Ne do të shkojmë të përballemi në çdo cep të Shqipërisë me këtë Juntë të re politike. Ne këto zgjedhje nuk i njohim, më 30 qershor nuk do të ketë votime. Rrezikshmëria e këtij grupi është aq e madhe saqë justifikon çdo lloj rezistence. Rezistenca jonë do të jetë edhe më e madhe gjatë kësaj jave”, tha Shehi.