.

Të dashur protestues, ju ma shpifni. Pse u tërhoqa nga ideja e shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit

Nga Mustafa NANO

Të dashur protestues, ju ma shpifni!

Të martën në mesditë unë pata regjistrimin e “Provokacijas”, që u transmetua mbrëmjen e po asaj dite. Ishte një ditë pas publikimit të përgjimeve të bëra nga Bild-i lidhur me zgjedhjet lokale në Dibër. Dhe më duhet t’ju them se isha i mbushur me zemërim për shkak të manipulimit industrial të votës në ato zgjedhje (siç dilte prej përgjimeve). Nuk është se u kapa në befasi, të kuptohemi. Gjërat që dolën prej përgjimeve, edhe pse nuk kemi qenë në gjendje t’i provojmë me fakte e dokumenta, i kemi marrë me mend. E megjithatë, monologun e zakonshëm timin ia kushtova kësaj ngjarjeje. Dhe u bëja thirrje socialistëve që të ndaleshin te kjo dukuri e shëmtuar, dhe të mos kërkonin ta shmangnin diskutimin me pretendimin se “është vjedhur sekreti hetimor” (hahaha!) e të mos e relativizonin rëndësinë e çështjes duke thënë se “edhe të tjerët kanë bërë po njësoj”, apo se “demokratët e lsi-stët kanë bërë më keq”. Dhe aty hidhja idenë se në këto rrethana nuk do të ishte mëkat që të merrej në shqyrtim ideja e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Duke tentuar një negociatë me palën tjetër.

Sapo mbylla regjistrimin (diku nga ora 14.00), pashë që portalet kishin si lajm kryesor sulmin që demokratët e Tropojës i kishin bërë një KZAZ-je me synimin për të penguar e sabotuar procesin e përgatitjes së zgjedhjeve. Ajo dhunë më shqetësoi, dhe aty për aty m’u bë se me monologun tim po i shërbeja një strategjie të dhunës. Dhe aty për aty u thashë njerëzve të post produksionit në ABC News të mos e nxirrnin monologun tim në transmetim. Pata një ndërdyshje të vogël, t’ju them të drejtën, por erdhi mbrëmja, dhe kur pashë disa shkodranë që po i vinin flakën një shkolle, u ndjeva mirë që e kisha anuluar atë monolog. Në ato kushte, i thashë vetes: Nuk është koha për t’i thënë të gjitha të vërtetat. Është koha për të thënë vetëm një të vërtetë, që është më e rëndësishmja: “Disa shqiptarë janë çmendur, kanë lajthitur. Ata kanë vendosur t’u binden urdhërave të shefave të tyre për të ushtruar dhunë.” Nuk di nëse mund të ketë ndonjë përplasje civile (nuk ka pse, në fakt; socialistët nuk e kanë në plan të mbrojnë me duart e tyre rendin kushtetues), por zgjedhje nuk është çudi të mos ketë. Ato mund të pengohen. Një numër njerëzish e kanë marrë seriozisht këtë betejë. Dhe mund t’ia dalin. Lëri të tjerat, por zgjedhjet duken si të paligjshme, ngaqë janë të anuluara prej një dekreti presidencial, që nga ana e vet është gjithashtu i paligjshëm, antikushtetues. Jemi futur në një valle të çartur paligjshmërie e papërgjegjshmërie.

Për çfarë po e bëjnë këtë betejë këta njerëz? Për demokraci. Për votën e lirë. Kundër korrupsionit. Kundër diktaturës që është instaluar. Kështu po thonë. Dhe kjo – duhet ta themi me plot gojën – është një gjepur kolosale, është rrena më e madhe që mund të na kenë dëgjuar veshët. Vini re: Nuk po them se nuk janë të vërteta pretendimet e tyre. Jo, janë të vërteta (me përjashtim të pretendimit se po instalohet një diktaturë). Po them tjetrën, po them se ata njerëz që kanë dalë në protesta, e që tani po djegin shkolla e po sulmojnë KZAZ, nuk kanë ndjeshmërira të tilla nazike. Ata janë thjesht horra që kanë humbur pushtetin, dhe që nuk pajtohen dot me faktin se atë, pushtetin, mund ta kenë ca horra të tjerë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për udhëheqësit e tyre politikë. Kush beson se Berisha, Meta, Basha, Kryemadhi janë të merakosur për votën e lirë, demokracinë, bukën e fëmijëve të varfër, është një horr, gjithashtu. Nëse nuk është budalla. E di, mbështetësit e Ramës nuk janë më të mirë në këtë drejtim, por sherri nuk bëhet për këtë. Sherri po bëhet mbi idenë se Rama e Co. ka vjedhur votat, ka plaçkitur vendin, ka ndërtuar një diktaturë e një pushtet të korruptuar, dhe se Berisha, Meta, Basha e Kryemadhi janë aty si një bekim nga Providenca, për të na shpëtuar nga kjo e keqe, të cilën duan ta mposhtin edhe me një gjakderdhje, nëse kjo e fundit do të jetë e nevojshme. Sherri pra po bëhet mbi bazën e besimit se Rama është djalli, dhe ata përballë tij janë engjëj. Në këto rrethana, kush është me Ramën, është me të keqen, është i lig, është i korruptuar. Deri dhe ambasadorët, mbi të gjitha ambasadorët, janë shpallur të korruptuar. Ou? Po sikur t’ju them unë që ata që janë kundër Ramës janë edhe më të korruptuar, dhe se i vetmi motiv zemërimi që ata kanë kundër Ramës është se ky i fundit ua ka mbyllur dyert e përfitimeve e favoreve të paligjshme, ato dyer që Rama ua ka hapur katërkanatash miqve të vet? Po sikur t’ju them unë që vuajtja e madhe e tyre është vetëm e thjesht që nuk janë në rrethin e atyre që janë duke e mjelë pushtetin e sotëm? Nuk ka diskutim që është kështu. Të ishte ndryshe, të ishte se do ishin njëmend të shqetësuar për demokracinë, votën e lirë, qeverisjen e ndershme, etj, do e kishin treguar këtë gjë me kohë e me vakt. Mirëpo, nuk e kanë treguar në asnjë rast. Merrini me radhë ata që sot janë kundër Ramës, dhe bëjuni pretendimeve të tyre një vetting (po e përdor në mënyrë të sforcuar këtë fjalë, dhe qëllimisht, ngaqë është shumë në modë sot). Ata pretendojnë se Rama ka vënë dorë mbi zgjedhjet, dhe kjo është e vërtetë (përgjimet e Dibrës e tregonin qartazi këtë), por pyetja është: Çfarë kanë bërë këta kur Berisha e vodhi (për të mbetur tek veprimi i fundit i tij kundër votës së lirë) bashkinë e Tiranës në sy të të gjithëve, mú sikur të ishte duke na bërë një escamotage me letra bixhozi? E mbani mend, apo jo? Basha, kandidati e kanakari i Berishës, humbi garën me 10 vota. Dhe Berisha, nëpërmjet gangove që kishte në KQZ, nxori urdhërin për të rinumëruar votat. Dhe rezultati u përmbys. Basha u bë kryetar bashkie. Më thoni një prej këtyre që bërtasin sot për votën e lirë të ketë lënë me shkrim a me gojë atëmot një rresht kundër asaj vjedhjeje spektakolare të postit më të rëndësishëm të vendit, pas atij të kryeministrit.

Tjetër: Ata pretendojnë se Rama po plaçkit vendin, dhe kjo është e vërtetë (Rama është më i pacipi e më i papërgjegjshmi ndër kryeministrat shqiptarë kur vjen puna te menaxhimi i parave publike. Prova më e fundit është tenderi mbi 200 milionë euro për rrugën Milot-Balldren. Vetëm një si ai mund ta bëjë këtë pikërisht në momentin kur sapo i është zbuluar një aferë e shëmtuar korruptive, siç ishte ajo te Unaza e Re), por këta duhet të na japin një provë që e kanë ngritur zërin po njësoj kur në pushtet kanë qenë Berisha e Basha. Apo janë me mendimin se Berisha e Basha janë të ndershëm? Vërtet?

Tjetër: Ata pretendojnë se Rama është diktator, se ai po shtyp popullin e vet, se ai ka përdorur gazin lotësjellës kundër protestuesve. E shihni se sa lëkurëhollë janë ndaj dhunës? Dhe mendja të shkon që këta kanë bërë namin kur Berisha vriste protestues në bulevard. I mbani mend se çfarë bënin atë ditë (21 janar 2011), e më pas? Bënin sofizma në mbrojtje të vrasësit. Dhe nuk u vinte hiç turp. Dhe nuk u vjen turp as sot që nuk u vinte turp atëherë. Dhe shenja më e qartë që nuk u vjen turp është thirrja që po bëjnë për ta rrëzuar me dhunë e me luftë e me gjak “diktaturën e Ramës”. Hëm, kjo puna e Ramës diktator është një sendërgjí në fakt. Një sendërgjí, asgjë më tepër. Sot, nën hyqmin e diktatorit Rama, janë trimëruar edhe intelektualë që kurrë nuk janë shquar për guxim publik, intelektualë që rëndom kanë frikë edhe nga hija e tyre, janë trimëruar edhe pedagogë të mefshtë, studentë dhjaksa, edhe gazetarë, edhe aktorë, edhe të gjithë. Ramën nuk e ka njeri frikë. Sepse Rama nuk është diktator. Rama është një njeri që abuzon me pushtetin, por jo diktator.

Ecim më tej: Ata pretendojnë se Rama po shtie në dorë sistemin e drejtësisë. Dhe kjo është e vërtetë, s’ka gjë se këtë plan ia kanë lehtësuar njerëzit e opozitës që në fillim u rreshtuan hapur kundër reformës, e më pas hoqën dorë prej çdo roli e kontributi që mund të jepnin në kuadrin e zbatimit në praktikë të saj. Por nuk është kjo çështja. Çështja është tjetër. Pse kjo ndjeshmëri i kapi tani? Ku ishin këta dashnorë të mëdhenj të dokumentit mesjetar Magna Carta, të praktikës apo parimit “Habeas Corpus”, të sistemit check & balance, të institucioneve të pavarura, kur Berisha edhe të vetmin institucion që i kishte mbetur pa marrë, atë të Presidencës, e mori pa e vrarë ndërgjegja fare, apo kur sistemi i drejtësisë ishte i gjithi në dorë të tij, në dorë të Metës, e të gjyqtarëve të korruptuar? Jua them unë ku ishin. Këtu ishin. Por nuk bënin zë. Sepse zëri atyre u vjen me sezone. Kur sistemi i drejtësisë është në duart e Berishës, nuk ka problem. Problemi lind kur është në dorë të dikujt tjetër. Kur Berisha vret të pafajshëm, nuk ka problem. Problem është kur Rama lëndon lehtë ndonjë protestues rrugaç. Kur Berisha abuzon me pushtetin, nuk ka problem. Por kur dikush tjetër e bën këtë, bëjnë sikur po ndodh diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Nuk ka mbetur njeri pa folur për vilën misterioze të Surrelit, që Rama e ka ndërtuar me paratë e emigracionit (hahaha!), por askush nuk ka folur për vilat e Berishës e të Metës në Lalëz, të cilat nuk janë hiç misterioze. Ndër figurat publike, nuk ka mbetur njeri pa kaluar para atyre vilave, e pa shqyer sytë para madhështisë së tyre, të cilat janë gjëra sheikësh. SHEIKËSH.

Shkurt, në gjitha lëvizjen anti Rama nuk ka asgjë parimore e asgjë që të ketë të bëjë me interesin publik. Në rastin më të mirë, e gjitha ngrihet mbi një animozitet personal ndaj Ramës. Në rastin më të keq (dhe ky është rasti më i përhapur, më besoni për këtë), ka vetëm vuajtje që Rama po vjedh me të vetët, e që këtyre nuk u është lënë asnjë shans të vjedhin. Por në këtë pikë, më duhet të them diçka që më duket e rëndësishme: Edhe sikur motivimet t’i kishin të fisme, edhe sikur këtë dashuri për parimet të mos e kishin sezonale, mua prapëseprapë nuk do më lidhte gjë me ta. Sepse këta janë duke lëshuar thirrje për luftë. Sepse këta janë duke konsideruar si zgjidhje përplasjen civile. Dhe po e bëjnë me ngazëllim këtë gjë, sikur fjala të ishte për një orgji të padëmshme. Çfarë çmendurie! Që pas lëvizjes së Haxhi Qamilit pak më shumë se 100 vjet më parë, nuk ishte parë ndonjëherë që marrëzia shqiptare të shpalosej rrugëve në mënyrë kaq arrogante e të pacipë. Dhe ky haxhiqamilizëm, që unë po e përkufizoj si “emocione, nostalgjira, halle, sëkëlldira e interesa individuale të njerëzve të lidhur me një ancien régime e të ngritura në nivelin e një kauze të madhe kolektive”, përfaqësohet nga udhëheqës politikë që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse premtime makabre të tipit “do ta tërheqim zvarrë”, “nuk do gjejë vrimë ku të futet”, “luftë do, luftë le të bëhet”, por edhe nga gazetarë që nxjerrin flakë nga goja, intelektualë publikë që nuk ka ditë të mos çaprashitin (“me nerv të pashoq civik”) diçka kundër “diktaturës”, ish pushtetarë që marrin poza idealiste, kodoshë që veshin kostumin e patriotit, e lloj-lloj palaçosh që shprehnin habi, madje edhe neveri, ndaj atyre që nuk i bashkohen kauzës së tyre të dhunës e të gjakut. Ata që nuk i janë bashkuar kauzës së tyre, për fat, janë shumica dërrmuese. Dhe unë jam njëri prej tyre. Kur opozita zhvillon protestën e vet, masa e madhe e shqiptarëve është duke bërë jetën e vet, në shtëpi, në kafene, buzë detit, në parkun e Liqenit, e kudo tjetër, jashtë rrethit me rreze të gjatë të protestës. Dhe masa e madhe e përbuz këtë protestë. Gjë që nuk do të thotë se janë me Edi Ramën. Jo domosdoshmërisht.

Për sa më takon mua, po them atë që e kam thënë vazhdimisht: Edi Rama përbën një problem për vendin, por ai duhet mundur me votë. Pikë. Nuk e mund dot me votë? Aty le të mbetet. Dhe jeta vazhdon. Por unë kam bindjen se ai mund të mundet me votë. Nëse Basha nuk e bën dot, dhe kuptohet që nuk e bën dot, ka një zgjidhje tjetër, që duhet provuar. E unë ua sugjeroj demokratëve: Zëvendësojeni Bashën me dikë tjetër. Dilni e bërtisni: Basha ik! Pse nuk provoni këtë që e keni në dorë, por kërkoni të bëni pikërisht atë që nuk është në dorën tuaj, dmth të përzini Ramën? Largoni edhe Berishën, sidomos Berishën, nga ajo parti, në keni perëndi. Ndryshe, asnjë betejë e juaja nuk do të ketë kuptim. Sepse për çdo betejë që ju mund të bëni në krah të tij, të tjerët do t’ju hedhin syve të paktën një poshtërsi të bërë nga ai njeri, dhe këto poshtërsi janë aq të mëdha e të shumta, sa çdo betejë e juaja do të rezultojë qesharake. Dhe sa më bujshëm ta shprehni shqetësimin në protesta të tilla, aq më qesharakë do të dilni. Përfytyroni me mijra Avdylaj e Shullazë që dalin në rrugë për të kërkuar rend publik, me mijra Artan Fuga që dalin rrugëve në mbështetje të Skënder Gjinushit, me mijra Rudian Zektha që dalin rrugëve për të shprehur mospajtimin e tyre me zërin e Ezanit që del nga minaretë e xhamive në Tiranë, me mijra kosovarë që dalin rrugëve duke i kënduar lavde Mustafa Nanos që titullin e programit të vet e ka vënë “Provokacija”, me mijra Myslim Murriza që dalin në rrugë në mbrojtje të të drejtave të gayve, etj, etj. Janë situata të pamundura dhe absurde, apo jo? Dhe qesharake. Ja, kështu është edhe kjo protesta e berishianëve për votën e lirë, për demokraci, për shtet ligjor, për qeverisje të ndershme. Qesharake sa s’ka ku të shkojë më shumë. Madje, edhe e ndyrë. Mbi të gjitha e ndyrë.

Përsëris: Rama është një problem për vendin. Por tek fundi juaj, të dashur demokratë (sepse me këtë rrugë që keni zgjedhur, dihet fundi: PD-ja do shpërbëhet; nëse ndodh e kundërta, nëse PD-ja ia sheh qarin kësaj rruge që ka zgjedhur, atëherë ky do të ishte lajmi më i keq që mund të merrnim), unë shoh edhe fundin e Ramës. Fillimisht ai do të dalë më i fortë. Mirëpo, kur ka ndjesinë se është më i fortë, ai bëhet edhe më i papërgjegjshëm. Pasi ta fitojë edhe këtë betejë me ju, ai do të largojë Spiropalin, Xhaçkën, Taulant Ballën, e hiçër të tjerë që ka rreth vetes, e do të nxjerrë nga xhepi Spiropalë, Xhaçka e Balla të tjerë. Dhe do të qeverisë më keq sesa ka qeverisur. Dhe kjo do të bëjë që të shpërthejnë edhe socialistët nga brenda. Nëse Berisha zhduket nga qarkullimi, socialistët do fillojnë të flasin. Mos t’ju duket çudi. Ka gjithnjë socialistë që e ngrejnë zërin. Por edhe pjesa tjetër e shoqërisë, që është mësuar t’i masë gjërat me metrin e së keqës “Berisha”, do të çlirohet nga ky kompleks. Edhe vetë berishianët do të çyshten shumë shpejt prej magjisë që u është bërë këto 30 vjet prej zgjyrës më të madhe që ka prodhuar ky vend pas Ali Pashë Tepelenës e Enver Hoxhës. Më në fund, edhe vetë partnerët e huaj do t’i shpëtojnë ndikimit të Ramës, e do të “çkorruptohen”. E kështu do të krijohet një fluks i madh anti Rama, një fluks njerëzish më në fund të çkompleksuar prej maktheve e paranojave të lidhura me Berishën. Dhe Rama do të bjerë fare kollaj, mú siç bie një frut i kalbur nga pema. Sepse, për fat, ai nuk është një diktator.

Post Scriptim: Deri sa të marrë fund kjo situatë, personalisht nuk do të bëj më asnjë kritikë ndaj kryeministrit të vendit. Sepse çdo kritikë do deligjitimonte strukturat e shtetit e të qeverisë, gjë që është gjëja e fundit që na duhet në këtë situatë.