.

Ç’po ndodh me euron? Zbret në nivelin më të ulët në 11 vjet, sa u këmbye sot

Në bregdet, apo në qendrat e qyteteve kryesore është vështirë që të mos gjesh turistë, që vitet e fundit kanë zbuluar sekretin e fundit të Europës, Shqipërinë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në katër muajt e parë të vitit kanë hyrë në vend mbi 1 milionë të huaj, me rritje 7.4% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në maj dhe qershor numri i tyre është shtuar më shumë, për shkak të sezonit të verës.

Euro ka filluar të nënçmohet me shpejtësi pas përfundimit të muajit të Ramazanit. Pas festës së Bajramit, pati prurje të turistëve nga vendet e rajonit, dhe jo vetëm, të cilët po rrisin ofertën në valutë.

Euro e nisi edhe këtë javë duke humbur pikë përkundrejt lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 121.6 lekë. Monedha e përbashkët nuk kishte prekur këto nivele të ulëta që prej korrikut të 2008-s, duke shënuar kështu rekordin më të ulët në 11 vitet e fundit. Që prej fillimit të këtij muaj euro ka humbur 1 pikë përkundrejt lekut.

Sipas ekspertëve të tregut të këmbimit valutor, arsyeja tjetër e nënçmimit të euros këto ditë lidhet me afrimin e datave për të shlyer detyrimin e TVSH-së dhe të sigurimeve nga bizneset.

Prurjet e të huajve

Edhe të huajt që vijnë në vend për arsye turistike, pune e biznesi, apo dhe për turizëm shëndetësor, po sjellin gjithnjë e më shumë valutë në vend.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shpenzimet e të huajve në vendin tonë arritën në 348 milionë euro për periudhën janar-mars, duke shënuar një nivel rekord të pas viteve ’90. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shpenzimet e të huajve kanë shënuar rritje prej 5.1%, ndërsa në krahasim me 2013-n, pothuajse janë dyfishuar. Monitor