.

Plumba makinës në Bulqizë, plagoset 41-vjeçari. Dy në kërkim


Policia e Bulqizës ka shpallur në kërkim dy vëllezër, të cilët në bashkëpunim mes njëri tjetrit dyshohet të kenë qëlluar me armë në drejtim të një makine që drejtohej nga një 41-vjeçar.

Ky i fundit si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur në dorë. Dy vëllezërit janë identifikuar dhe po punohet për kapjen e tyre. Sipas të dhënave të para, raportohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë shkaqeve.

Njoftimi i policisë:
“Policia e Bulqizës ka shpallur në kërkim policor dy vëllezër pasi dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit B.D. në qytetin e Bulqizës.Rreth orës 12.00, në vendin e quajtur “Unaza e Re,” Bulqizë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të shtetasit B.D, 41 vjeç, i cili është dëmtuar lehtë në dorë dhe pasi ka marrë ndihmë mjekësore ka dalë nga spitali.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ekspert të D.V.P Dibër në bashkëpunim me Policinë e Bulqizës, është bërë identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve : A.T, 26 vjeç, dhe M.T, 32 vjeç, (vëllezër) si autorët e dyshuar të kësaj ngjarje.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta. Nga ana e policisë janë ngritur pika kontrolli dhe po krihet zona për kapjen e tyre.

Materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë Dibër për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake””-njofton policia.