.

Protestuesit akuzë për pengim të zgjedhjeve, rrezikojnë 3 vite burg

Edhe pse Presidenti, Ilir Meta anuloi me dekret datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, madje duke e firmosur live atë, Rama vijon me fushaten.

Maxhoranca qeverisëse ka vënë në zbatim edhe ligjet përkatëse që pengojnë subjektet zgjedhore në këtë proces.
Në akuzat e ngritura ndaj mbështetësve të PD në Librazhd, të cilët një ditë më parë u grumbulluan për t’i penguar rrugën kryeministrit Edi Rama, policia ka ngritur një tjetër akuzë ndaj tyre, duke qenë se maxhoranca qeverisëse thotë se ka hyrë në muajin e fushatës.

Krahas akuzave të ngritura edhe më parë ndaj protestuesve në Tiranë, si “Organizimit, pjesëmarrjes në grumbullime, manifestime të paligjshme”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” ndaj të ndaluarëve në Librazhd, është ngritur edhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore”.

Kjo akuzë, e cila ngrihet për herë të parë ndaj protestuesve, është e pasqyruar në nenin 325 të Kodit Penal, i cili parashikon dënimin me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

“Pengimi me dhunë apo me cdo mënyrë tjetër i subjekteve elektorale për të zhvilluar rregullisht aktivitetin e tyre në përputhje me ligjin gjatë fushatës së zgjedhjeve dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”- thuhet në nenin 325 të Kodit Penal.

Kështu, protestuesit e PD-së, tani e në vijim, deri në përfundim të fushatës elektorale, do të akuzohen edhe për pengim të subjekteve zgjedhore duke rrezikuar nga gjobë deri në 3 vite burgim.