.

Qeveria, 10 mln lekë familjeve të ushtarakëve të vrarë në Letoni

 

Këshilli i Ministrave ka vendosur sot të kompensojë me një fond të posaçëm familjet e ushtarakëve të vrarë gjatë misionit të NATO-s në Letoni, efektivëve të FA Zarife Hasanaj dhe Klodian Tanushi.

Në vendimin e qeverisë thuhet se do të kompensohen me 10 mln lekë familjet e tyre.

VENDIM

PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES, PËR KOMPENSIMIN E VEÇANTË TË FAMILJEVE TË USHTARAKËVE TË RËNË NË KRYE TË DETYRËS, GJATË PËRMBUSHJES SË MISIONIT USHTARAK, JASHTË VENDIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 28, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, i shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për kompensimin e veçantë të familjeve të ushtarakëve nëntetar Zarife Muharrem Hasanaj dhe major Klodian Nikolla Tanushi, të cilët humbën jetën gjatë kryerjes së detyrës, në mision ushtarak, jashtë vendit.

2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2019.

3. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.