.

Vendimi i PS për shkarkimin e Metës, sot mblidhet Konferenca e Kryetarëve

Nje dite pas Kryesia e PS vendosi te nise qe nga dita e enjte, ne Kuvend, procedurat per shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, burime për gazetën “Panorama” bënë me dije se ditën e sotme do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit.

Konferenca mesohet se do të marrë në shqyrtim kërkesën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PSsë, Taulant Balla, që kërkon zhvillimin e një debati parlamentar pas vendimit të Presidentit të Republikës për anulimin e datës së zgjedhjeve.

Në kërkesën që pritet të shqyrtohet paraditen e sotme, theksohet se: “Pasi u njohëm me aktin e paprecedent të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018, ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore’ dhe duke e vlerësuar atë si një akt absolutisht të pavlefshëm, të marrë në kapërcim të kompetencave të institucionit të Presidentit dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe demokratike, si dhe duke konsideruar se ky akt synon të pengojë në mënyrë të kundërligjshme realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat në seancën më të parë të Kuvendit për këtë çështje, në përfundim të të cilit propozojmë miratimin e një rezolute sipas draftit bashkëngjitur”.