.

Javë rinovimesh tek Partizani, ja lojtarët që pritet të firmosin kontratat e reja

Partizani e mbylli sezonin e fundit si kampion, por jo të gjithë lojtarët që varën në qafë medaljet do të vijojnë me ekipin edhe në sezonin e ri. Egzon Belica dhe Sodiq Atanda kanë qenë dy “shtyllat” e skuadrës në kampionatin e fundit, por të dyve iu ka mbaruar kontrata me Partizanin.
Si strugani, por edhe nigeriani i kanë nisur pushimet pa ndonjë marrëveshje të mbyllur me “demat”, kështu që ka pasur pikëpyetje rreth vazhdimësisë së tyre. Gjithsesi, gjatë kësaj jave është menduar që palët të ulen në bisedime për të parashtruar kërkesat e reja për edicionin 2019- 2020. Në ngadalësimin e procesit të rinovimeve, por edhe publikimit të merkatos ndikim ka mosemërimi i trajnerit të ri.

Nga burime pranë palëve, mësohet se Belica dhe Atanda fillimisht do të ulen dhe bisedojnë me Partizanin dhe nëse gjejnë akordin do të firmosin, përndryshe do të shqyrtojnë ofertat e tjera.Për Belicën është thënë se ka interes edhe nga Turqia, por drejtuesit kanë dhënë garanci se dy qendërmbrojtësit do të mbeten të kuq edhe në sezonin e ri. Kjo javë është vendimtare për konsolidimin e strukturës së Partizanit, ku pritet të emërohet trajneri i ri, si dhe të vendoset për rinovimet dhe merkaton si në hyrje, por edhe në dalje.