.

Kthimi i vizave, proces teknik apo politik?

PËLLUMB NAKO

Nëse këto ditë do të shihnim gjithë median e shkruar dhe atë elektronike ato dominohen nga dy ngjarje të rëndësishme për qytetarët shqiptarë dhe për vendin e tyre. Dy ngjarje të lidhura jetësisht me integrimin e Shqipërisë dhe që aktualisht po e mbajnë në ankth opinionin tonë publik. Opinion i ngratë që shpesh ndodhet në mesin e një zhurmnaje pehlivanësh pa atdhe, të paguar në mënyrë të majme, me mision vetëm mbulimin e realitetit.

Shqipëria reklamohet se po ecën para, por krahasimi bëhet vetëm me kohën prapa. Ajo kthehet në gogol. Kur nuk hyn në punë si argument, faji dhe përgjegjësia gjenden diku tjetër. Brenda dhe jashtë vendit. Shpiket, sajohet, në treg hidhet gjithçka. Vetëm në shërbim të mbajtjes së pushtetit. Integrimi, plaçka e luftës në lojë. Disfata më e madhe kthehet në fitoren me të shquar.

Por çfarë po shohim?

Nga njëra anë, Komisioni Europian që për të tretin vit radhazi jep rekomandimin pozitiv, lidhur me hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, dhe, nga ana tjetër, qeveria holandeze, e cila i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian heqjen e regjimit të qarkullimit të liberalizuar pa viza të shtetasve të saj në hapësirën Shengen. Ankth për negociatat, ankth për lëvizjen pa viza. Në të dyja çështjet, qëndrimi qeveritar ka dëshmuar cilësitë e tij më klasike. Demagogji, humbje argumentesh nëpër rreshta të komplikuar teorikë, ku faji gjendet vazhdimisht ngado, por asnjëherë te vetja. Holanda akuzohet për fobi, të paktën fillimisht, dhe Këshilli Europian për mungesë vullneti politik të lidhura me çështjet e tij të brendshme. Në të dy rastet kemi të bëjmë me një Shqipëri të bërë kurban nga Europa. Konstatim, që, i marrë si i vërtetë, do të na kthente në kohët kur për gjithçka faji hidhej mbi Europën.

Nuk janë lojë fjalësh. Qëndrimet zyrtare të Shqipërisë për të dy çështjet janë karakterizuar nga mungesa totale e përgjegjësisë në raport me aktorët ndërkombëtarë dhe populizmi primitiv në raport me opinionin e brendshëm. Madje, duket se më shumë rëndësi i është dhënë këtij të fundit, sepse garanton votat dhe jo atij në raport me ndërkombëtarët që vërtet pengon integrimin e vendit, por nuk pengon mbajtjen e pushtetit.

Grupi negociator i politikanëve tanë njoftoi shqiptarët se Polonia ka më shumë kriminelë në Holandë. Dhe këtë të vërtetë ia kishte përplasur në fytyrë edhe holandezëve. A thua se ishin holandezët ata që po na luteshin të mos u kthenim regjimin e vizave shtetasve të tyre. Vite më parë, pasi ambasadorja jonë në Holandë e telendisi këtë vend, këto ditë përfaqësuesja e brezit më të ri të politikanëve modernë, me detyrë pikërisht integrimin e vendit, kërkoi të telendisë ambasadoren holandeze në Shqipëri. Por duket nuk i eci. Përgjigja politike gjithmonë një linjë populiste.

Përse Holanda kërkon rikthimin e vizave vetëm për Shqipërinë? Ndërkohë, që ashtu si Shqipëria sot në hapësirën Shengen, pra dhe në Holandë, gëzojnë të drejtën e tyre për të hyrë pa viza plot 61 shtete nga gjithë rruzulli tokësor. Që së bashku përbëjnë rreth 80 milionë banorë. Vende edhe me popullatë myslimane. (Meqenëse flitet shpesh edhe për fobi). Pra, nga këta 80 milionë, Holanda paska gjetur të bëjë kurban 3 milionët e mbetur shqiptarë?

Si duhet analizuar qëndrimi i Holandës? Teknik apo politik? Triumvirati ynë negociator çfarë garancish dha për ruajtjen e standardeve të arritura në vitin 2010?

Sepse, vite më parë, standardi teknik i arritur në Shqipëri arriti një nivel të tillë që Holanda të merrte vendimin politik për të lejuar shqiptarët të qarkullonin pa viza në hapësirën Shengen. Ky ishte vetëm një standard, aspak i fundit, aspak i vetmi. As më i larti. Por ai duhej ruajtur, konsoliduar dhe ndjekur nga arritje për standarde të tjera. Pra, kryefjala europiane mbetet gjithmonë e njëjtë: Vazhdimësi, qëndrueshmëri. Është e qartë se, përveç arritjeve teknike, qeveria e asaj kohe shqiptare e bindi Holandën, edhe me vullnetin politik për të garantuar vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e standardeve të njohura. Ky vullnet për qëndrueshmëri të reformave nuk lihet në gjykim të Komisionit, por të Këshillit Europian. Sepse nuk është teknik.

Ndaj dhe dhënia përgjigje e pyetjes, nëse veprimi i qeverisë holandeze është teknik apo politik, rezulton e lidhur ngushtë edhe me procesin e integrimit të vendit tonë në kuadrin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Sepse logjika është e njëjtë. Arritje shkallë-shkallë të soliduara në qëndrueshmëri dhe që në fund kthehen në standarde. Si mund të njihet një arritje kur ajo paraardhëse nuk rezulton e qëndrueshme dhe ka shënuar kthim pas? Deri më sot, qeveria nuk ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar lidhur me çështjen e propozimit holandez. Hapi i saj shënon kthim pas për vendin tonë. Madje, ministri ynë i Jashtëm u tregua besimplotë te refuzimi që do t’i bënte qeveria holandeze Parlamentit të saj, lidhur me rikthimin e vizave për shqiptarët. Heshtja i ka kapur keq për të mundur e për ta varur fajin diku, gjetkë. Argumentet e dhëna dikur me aq bollëk nuk hyjnë më në punë. Do ta nxirrnin shumë keq triumviratin negociator.

Kurse, së njëjtës pyetje, lidhur me hapjen e negociatave, ministri ynë i Jashtëm dhe shefat e tij e kanë analizuar tashmë. Sepse kanë hapësira ku të fshihen.

Duke përdorur termat dhe qëndrimin e Mogherin-it, ministri i Jashtëm i vendit tonë ka deklaruar “se procesi i hapjes së negociatave nuk është vetëm proces teknik dhe vetëm çështje e përmbushjes së kushteve objektive, por është çështje e vullnetit politik që duhet të karakterizojë vendet anëtare të Bashkimit Europian”. Pra, faktin e shtytjes disa herë të hapjes së negociatave nga ana e Këshillit Europian, politika jonë zyrtare e sheh të ndarë në dy pjesë: Njëra pjesë është Komisioni, i cili ka vullnet pozitiv, por teknik dhe, nga ana tjetër, Këshilli Europian dhe vullneti i tij politik dyshues. Lojë fjalësh. Demagogji. Të jepet përshtypja se ndërtimi i institucioneve vendimmarrëse europiane është e ndarë më dysh dhe në antagonizëm ndërmjet Komisionit dhe Këshillit. Njëri na jep të drejtë dhe tjetri kundërshton. Jo! Nuk është kështu! Institucionet europiane funksionojnë mbi baza negocimi dhe kompromisi. Secili prej tyre gjykon dhe merr vendim mbi një segment të rrugëtimit europian të vendit kandidat, ku arritjet teknike gjykohen në raport me vullnetin politik të konkretizuar qartësisht nga vendi kandidat dhe të njohur nga Këshilli Europian. Nëse ky i fundit nuk konstaton vullnet politik në solidifikimin e reformave të ndërmarra si detyra shtëpie, pra, me detyrim, nuk jep dritën e gjelbër. Tashmë, janë bërë tre vite që qeveria jonë nuk po bind me vullnetin e saj real ndërtimin e reformave në shërbim të shtetit ligjor dhe jo vendosjen e tyre në shërbim të pushtetit. Ky aspekt nuk mund të jetë kurrë me karakter teknik.

Justifikimi qeveritar i yni lidhur me rritjen e rrymave politike populiste në Europë, që po bëjnë të hezitojë Këshilli Europian, nuk qëndron plotësisht. Frika e udhëheqësve europianë është te paqëndrueshmëria, të cilën reflekton Shqipëria në respektimin e standardeve. Nëse Komisioni konstaton arritjen e standardit, Këshilli dyshon në qëndrueshmërinë e tij. Veprimi i Holandës, për fat të keq, materializon qartë pikërisht këtë frikë. Hezitimi i Këshillit Europian lidhur me zgjerimin hapësirës edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk lidhet vetëm me problemet e tyre të brendshme. Por sidomos me imazhin problematik, të paqëndrueshëm që përçojnë këto vende. Nuk duket e besueshme se Bashkimi Europian do të pësonte goditje nga brenda nëse një ditë të bukur, në radhët e tij, do të hynte edhe Norvegjia.