.

Duhet shkruar në Kushtetutë, çdo lek i shqiptarëve të shpenzohet…

 


Qeveria Rama, në vitet e fundit, ka kryer disa investime strategjike, kryesisht rrugë, të cilat disa kanë filluar disa jo, por që kontratat janë të firmosura. Është i famshmi projekti një miliard euro, që do të shpenzohet nëpërmjet partneritetit publik-privat.

Një projekt, i cili u kritikua shumë, jo vetëm nga një pjesë e ekspertëve të ekonomisë shqiptarë, por edhe nga institucione financiare ndërkombëtare si Banka Botërore. Arsyeja kryesore e kritikave ishte rritja e borxhit publik në vitet e ardhshme, që do të jetë një peshë e madhe për buxhetin e brishtë shqiptar.

E megjithatë, problemi më i madh i të gjithë projektit një miliard euro nuk është rritja e borxhit në kurriz të shqiptarëve, por mënyra se si po shpenzohen ato para. Qeveria shqiptare, me një guxim të çuditshëm, është duke shpenzuar paratë e shqiptarëve pa garë dhe në mënyrë arbitrare. Pa hyrë në debatin e kostove të tyre, që për shumë janë kosto absurde, si për shembull kostoja e Unazës së Madhe në Tiranë, apo së fundmi rruga Milot – Balldren, shqetësues është fakti se këto para nuk tenderohen me një garë të hapur për të gjithë, por me disa metoda të dëmshme, që më së paku hedhin dyshime të mëdha për abuzimin me buxhetin e shtetit.

Instrumente të tilla si oferta të pakërkuara, apo tenderime të drejtpërdrejta, janë duke u kthyer në normë dhe një zakon i rrezikshëm për politikat ekonomike të qeverisë. Në këtë mënyrë është duke u shkelur haptazi liria ekonomike, e cila është një parim kushtetues, që nënkupton që paratë e shqiptarëve duhet të jenë të aksesueshme me garë nga të gjithë, për të mirën e ekonomisë dhe zhvillimit në Shqipëri.

Kështu që, për t’u dhënë fund mundësive të abuzimit me paratë e buxhetit të shtetit, duhet me patjetër që në Kushtetutën e Shqipërisë të shkruhet që asnjë lek i shqiptarëve nuk do të shpenzohet pa garë të hapur dhe transparente. Të gjitha instrumentet e tjera si oferta të pakërkuara, që janë burim për korrupsion, duhen të ndalohen nga Kushtetuta e Shqipërisë. Në fakt, ky duhet jetë një propozim racional i opozitës shqiptare për t’i dhënë fund këtij fenomeni që është kthyer në një sëmundje të qeverisjes dhe ekonomisë shqiptare.

Lulzim Basha, në retorikën e tij dhe denoncimet ndaj qeverisë, i ka dhënë një hapësirë të rëndësishme luftës kundër oligarkisë, ashtu sikurse e quan ai, duke ofruar edhe si zgjidhje një ligj antimafia dhe duke u premtuar shqiptarëve se këto para do t’ua marrë oligarkëve dhe do t’ua kthejë atyre.

Kuptohet fare qartë se, me gjithë dëshirën e mirë që mund të ketë kryetari i opozitës, kjo është gjë e parealizueshme për shumë arsye. Nuk ka ndodhur asnjëherë që në Shqipëri opozita kur ka ardhur në pushtet të ketë ndërmarrë një aksion të tillë. Jo për faktin se s’ka pas vullnet në disa raste, por për faktin se mungojnë instrumente ligjore për ta bërë një gjë të tillë.

Prandaj, Lulzim Basha, nëse vërtet do t’u bëjë një të mirë shqiptarëve dhe ekonomisë së tyre, duhet të japë një zgjidhje afatgjatë për të luftuar një fenomen të tillë. Le të propozojë një nen kushtetues ku të ndalohen të gjitha ofertat e pakërkuara, tenderimet e drejtpërdrejta, apo çdo instrument tjetër që është burim korrupsioni, dhe ku të shkruhet se paratë e shqiptarëve do të shpenzohen të gjitha me konkurrencë dhe në mënyrë transparente. Vetëm kjo mënyrë është një premtim politik, është racional dhe i arsyeshëm. Të gjitha të tjerat janë thjesht retorikë politike.

Një nga problemet më të mëdha të demokracive është pikërisht mungesa e garës në çdo fushë. Aq më tepër në fushën ekonomike. Kështu që, për të ndaluar arbitraritetin e qeverisë me paratë e shqiptarëve, u duhet hequr qeverive çdo instrument që është burim korrupsioni. Dhe duke njohur natyrën e politikës shqiptare, potenciali për të abuzuar me buxhetin është i madh dhe prezent në çdo kohë. /Gazeta Liberale