.

Dështimi spektakolar i populizmit të majtë europian

Një nga përfundimet kryesore të rezultatit të zgjedhjeve për Parlamentit Europian ishte pa dyshim dështimi i populizmit, sidomos atij të majtë. Megjithëse në Francë dhe në Itali populistët nacionalistë patën rezultate të larta, në të gjitha vendet e tjera, partitë nacionaliste ksenofobe dhe armiq të projektit të Bashkimit Europian, ose nuk u rritën ose shënuan rënie dhe ky është një lajm i mirë për vazhdimësinë e Europës së bashkuar.
Ndërsa, për sa u përket populistëve të majtë, ata që promovuan utopinë e demokracisë popullore, të demokracisë direkte dhe “marrjes në dorë të popullit” të fateve të tij, dështuan në mënyrë spektakolare.
Të gjitha këto formacione politike, duke filluar që nga Lëvizja “Pesë Yje” në Itali, Podemos në Spanjë dhe Cyriza në Greqi, por dhe në vende të tjera europiane, pësuan disfata elektorale. Disa vite më parë, populizmi i majtë, që bazohej te kritika e ashpër ndaj elitës politike dhe te demokracia direkte, patën një rritje të konsiderueshme politike, duke u kthyer në shumë vende si një trend politik.
Mirëpo, kudo që e provuan të qeverisnin, sidomos rasti i Lëvizjes “Pesë Yje” në Itali, ishte një katastrofë e vërtetë. Forca e tyre përpara disa viteve ishte pikërisht te denoncimi dhe kritikat ndaj qeverisjes. Por një tjetër gjë është të denoncosh dhe një gjë tjetër kur përballesh me realitetin ndërsa je në pushtet. Në këtë kuptim, pamundësia e realizimit të premtimeve të tyre kur ishin në opozitë, tregoi qartë se filozofia e populizmit të majtë është thjesht një utopi.
Një nga kritikat më të mëdha dhe që shërbeu si argumenti kryesor i shumë nga lëvizjeve populiste të majta europiane ishte lufta ndaj kapitalizmit, ndaj lirisë të tregut, që sipas tyre ka krijuar pabarazi dhe varfëri për shumë nga qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian, sidomos në Europën e Jugut. Sepse, forcat populiste të majta lindën në Europën e Jugut, ku ka varfëri më të madhe, ndërsa ato të djathta në Europën e Veriut, ku mirëqenia është më e lartë.
Sigurisht që kapitalizmi dhe liria e tregut të lirë mund të ketë krijuar pabarazi, por jo varfëri. Defekteve të kapitalizmit, populistët e majtë i ofruan si alternativë pothuajse komunizmin, ose për të qenë të saktë me termat, shtetëzimin e ekonomisë. Si politika ofruan më shumë ndihma sociale, ndërhyrje më të madhe në shtetin në ekonomi. Politikë e cila ka treguar historikisht që nuk prodhon zhvillim, por thjesht një pushtet më të madh për vetë politikanët sesa për njerëzit. Një alternativë e tillë, që ofron shtetëzimin ekonomisë, është më e dëmshme sesa defektet e kapitalizmit dhe kjo nuk ka asnjë dyshim. Qytetarët europianë, sidomos ata të Europës së Jugut, e kuptuan shumë shpejt se lëvizje të tilla, jo vetëm që nuk kanë asnjë perspektivë për të rritur mirëqenien, por janë të dëmshme për ekonominë e atyre vendeve, prandaj edhe i dënuan me votë në zgjedhjet e Parlamentit Europian.
Një pikë tjetër e fortë e lëvizjeve populiste të majta, ishte premtimi i demokracisë direkte. Pra, me pak fjalë, “populli në politikë”, gjë e cila rezultoi një utopi. Nuk mund të ishte ndryshe, pasi demokracia direkte, për nga natyra komplekse dhe e përmasave të shoqërive moderne është një model demokracie totalisht i pamundur. E vetmja demokraci e mundur, dhe që i ka dhënë paqe dhe zhvillim Europës për 70 vite me radhë, si asnjëherë në historinë e saj, është liberal-demokracia, e cila bazohet te përfaqësimi politik. Sigurisht, demokracia përfaqësuese në dekadën e fundit është në krizë, por krizës së saj nuk mund t’i ofrosh si alternativë pamundësinë e demokracisë direkte. Debati duhet të fokusohet se si të përmirësojmë instrumentet e demokracisë përfaqësuese dhe jo t’i ofrojmë një model tjetër, që historikisht ka rezultuar i dështuar. Madje në disa raste ka qenë premisë për regjime totalitare.
Marre nga Gazeta Liberale