.

AMF: Në 2018 fondet e investimeve u tkurrën, shkak kursi i këmbimit

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi prezantoi sot në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Raportin mbi aktivitetin e Autoritetit gjatë vitit 2018.

Koçi u ndal në zhvillimet dhe arritjet kryesore të vitit të kaluar, ndwrsa përmendi disa nga sfidat me të cilat përballet Autoriteti dhe tregjet nën mbikëqyrje.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv përmendi si një nga arritjet më të rëndësishme zgjidhjen e problematikës së mbartur që nga viti 2002 me pagesat e Fondit të Kompensimit. Vitin e kaluar, shoqëritë kanë paguar mbi 1 miliardë lekë për Fondin e Kompensimit, vlerë e cila për herë të parë tregon për pagesa të konsiderueshme të detyrimeve.

Koçi u shpreh se Autoriteti ka vijuar të ketë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e konsumatorit. Sipas ndryshimeve të miratuara, nga 1 korriku 2018, qytetarët shqiptarë përfitojnë një rritje të konsiderueshme të dëmshpërblimit në rastet e aksidenteve.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se Autoriteti rriti më tej transparencën, përmes publikimeve të reja me karakter financiar dhe edukues, si edhe njoftimeve paralajmëruese për investitorët e konsumatorët. Në lidhje me ecurinë e tregjeve nën mbikëqyrje, referuar tregut të sigurimeve, ai përmendi përmirësimin e dy treguesve të rëndësishëm: raporti dëme/prime, i cili për herë të parë arriti shifrën 42%, si edhe rritja me 26% e pagesës së dëmeve në krahasim me 2017 dhe me 47% më shumë në krahasim me vitin 2016.

Koçi u shpreh se AMF ka punuar për të përmbushur objektivat e përcaktuara në strategjinë 5-vjeçare dhe njëkohësisht ka plotësuar të gjitha rekomandimet e lëna nga Kuvendi.

“Ne synojmë që implementimi i kësaj Strategjie, që ka nisur vitin e kaluar, të nxisë zhvillimin e një tregu konkurrent dhe efiçent, duke krijuar njëkohësisht stabilitet afatgjatë, duke i dhënë mundësi krijimit të produkteve inovative, duke rritur besimin dhe mbrojtur konsumatorin me qëllim që nga tregu më i brishtë në rajonin e Ballkanit Perendimor të shkojmë drejt një tregu më të konsoliduar,” theksoi ai.

Gjatë mbledhjes në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave deputetët vlerësuan në përgjithësi punën e bërë nga Autoriteti, si në plotësim të të gjitha rekomandimeve të Kuvendit, ashtu edhe në drejtim të rritjes së mbikëqyrjes, mbrojtjes konsumatore dhe zhvillimit të tregjeve.

Në fund të fjalës së tij, Koçi u ndal te bashkëpunimi shumë i mirë i Autoritetit me rregullatorët e vendeve homologe dhe institucionet financiare ndërkombëtare, gjë e cila, sipas tij, është reflektuar edhe në vlerësimet e tyre për punën e AMF. Në këtë kuadër, Shqipëria është përzgjedhur për herë të parë nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Pensioneve (IOPS), si vendi organizator i një konference në nivel botëror, e cila do të zhvillohet në Tiranë në 6-8 nëntor të këtij viti.