.

Zajmina me helikopterin e ushtrisë te vila e Bamir Topit? Ja e vërteta e historisë që futi në sherr politikanët

Zaimina Vasjari është koketa që ka intriguar edhe më shumë rrëfimin e ish-Presidentit Bamir Topi, ku përmend shumë politikanë dhe situata të ngatërruara në librin që po bën bujë për përplasjet e forta politike me titull “Nocturn: Kur arsyeja errësohet nga pushteti”, botim i “UET Press”.

“Helikopterët e Ushtrisë përdoren për pushime nga biznesmenë dhe femra”, ishte një deklaratë e ish-Presidentit Bamir Topi në vitin 2013, argument që i është rikthyer në libër. Por në këtë diskutim ka dalë dhe emri i Zaimina Vasjarit. Mediat kanë publikuar shkrime me tituj: Kush ishte këngëtarja që u ul me helikopterin e Ministrisë te vila e Bamir Topit?

Kjo për faktin se një ndër këto fragmente shumë të diskutuara të librit është edhe ai ku thuhet se Sekretari i asaj kohe në Ministrinë e Mbrojtjes, Edvin Kulluri, pa urdhër dërgoi te shtëpia e Bamir Topit, një helikopter të Gardës, ku në bord ishte një këngëtare.

“Sidoqoftë, të urdhëruar dhe nën presion, Sokol Çuni dhe piloti i ri, Donald Hoxha, i cili do të gjente vdekjen dy vjet më vonë në një aksident ajror mbi Liqenin e Shkodrës, u ngritën në fluturim vetëm me një urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, si një fluturim rutinë, në një ditë të diel, pa urdhrin me shkrim të komandantit epror, Dhori Spirollari, i cili ndonëse nuk kishte kurajën ta ndalonte këtë aventurë, mbrojti veten duke mos lënë gjurmë me firmën e tij, për një fluturim ku gjërat do të komplikoheshin gjatë rrugës”, shkruhet në libër.
Sipas Bamir Topit, i cili pretendon se atë ditë ka qenë në një takim elektoral të FRDsë në Poliçan, ky ishte një provokim i urdhëruar nga ish-Kryeministri Sali Berisha për të trembur familjen e ish-Presidentit. Por, përgjigjen për këtë prapaskenë të politikës shqiptare, Topi e ka marrë nga vetë Edvin Kulluri, i cili thotë se helikopteri është ulur pas një kërkese të këngëtares Zajmina Vasjari, e cila donte të xhironte një klip, pikërisht atë me titull “I kom”, që u publikua në 31 maj të vitit 2013.

Në postimin e tij, ai shkruan: Të dashur miq! Pas makinës se propagandës së Rilindjes, edhe ish-Presidenti Top në librin e tij “Nocturn”, paska përsëritur pretendimin aluçinant se në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, në vitin 2012 paskam urdhëruar ngritjen e helikopterëve të Forcave të Armatosura! Këtë herë jo për xhirimin e një klipi të këngëtares Zaimina Vasjari, por me qëllimin për t’u ulur në oborrin e shtëpisë se tij në formë presioni ndaj tij dhe familjes se tij! I nderuar ish-President, si ish-komandant i FA duhet të kishit kuptuar se kërkesa e këngëtares në fjalë i është përcjellë për shqyrtim komandantit të Forcës Ajrore në bazë të kompetencave të tij! Ajo është një kërkesë e përcjellë drejt KFA dhe nuk është “Urdhër”, pasi jo vetëm që nuk ekziston asnjë “urdhër”, por Sekretari i Përgjithshëm i MM nuk urdhëron dot njësitë e FA për çështje ushtarake, por i kërkon plotësimin e detyrave në fushën civile si buxhet, prokurime dhe detyra që ia ngarkon legjislacioni shqiptar! Si politikan apo ish-politikan të këshilloj të mos gënjesh për t’u bërë “hero” me pahir, pasi kjo sjellje nuk të çon askund! Mundohu të ruash dinjitetin që i takon një ish-Presidenti. Ndërsa, komandanti i Bazës së Helikoperëve në Farkë, Sokol Çunaj, ka sqaruar uljen e helikopterit të Forcave të Armatosura mbi banesën e ish-Presidentit, Bamir Topi, ngjarje që ka ndodhur në muajin mars të vitit 2013. Çunaj shpjegon se zanafilla e kësaj ngjarjeje ka nisur që në fluturimin e datës 10 mars të vitit 2013, kurse këngëtarja për të cilën bëhej fjalë është Zaimina Vasjari dhe urdhri për fluturimin e saj, e cila do të realizonte një klip kishte ardhur në datën 26 mars.

AVENTURA ME HELIKOPTER E ZAIMINA VASJARIT, DËSHIRA QË IU PLOTËSUA BRENDA DITËS

Kjo histori e ngatërruar politike, “me qershinë mbi tortë” një këngëtare si Zaimina Vasjari, u rikthye nga ish-Presidenti Bamir Topi, i cili shkruan në librin e tij se në vitin 2012, sapo kishte dorëzuar detyrën e kreut të shtetit, kur në afërsi të shtëpisë së tij ishte ulur një helikopter i Ushtrisë, ku në bord kishte persona që e filmonin.

Por nuk kanë hezituar të reagojnë përgjegjësit e këtij fluturimi, duke sqaruar se arsyeja ishte skena e xhirimit të një klipi dhe asgjë më shumë. Lajmi se Ministria e Mbrojtjes i vuri në dispozicion dy helikopterë të Ushtrisë shqiptare këngëtares Zajmina Vasjari për të realizuar videoklipin për këngën e saj nuk kaloi pa zhurmë. Ngjarja daton në prill të vitit 2013, kur pas një shkrese dërguar Ministrisë së Mbrojtjes dhe konkretisht ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Edvin Kulluri, ky institucion vuri në dispozicion të këngëtares dy helikopterë të Ministrisë ‘AB- 205’. Kërkesa formale me numër 3171 daton më 18 prillin e vitit 2013 dhe brenda ditës rezultoi se z. Kulluri i kishte kthyer përgjigjen pozitive.

Po atë ditë, Edvin Kulluri, me shkresë 3171/1 i kishte kërkuar Regjimentit të Helikopterëve në Farkë, të viheshin në dispozicion të kompanisë private ‘Max production’ dy helikopterët. Pas kësaj shkrese, ish-komandanti i Forcës Ajrore, Dhori Spirollari, përmes një mesazh-faksi nr. 200, datë 26 prill 2013, urdhëroi dy helikopterët ‘AB- 205’ të kryenin fluturime stërvitore për 10 minuta në lartësi 30 metra. Ai udhëzoi mundësinë e realizimit të një procedure varjeje helikopteri, në interes të realizimit të këtij videoklipi, duke pasur parasysh rregullat e filmimit në zonat e klasifikuara.

Pas “skandalit” mediatik për realizimin e një videoklipi me helikopterët e Ushtrisë nuk qëndroi në heshtje as Zaimina. “Shumë gazetarë më kanë telefonuar për këtë çështje, por nuk jam prononcuar pasi kjo është bërë një çështje politike. Nuk kam motiv të akuzohem apo frikësohem”, është shprehur ajo, sipas mediave. Ndërkohë, ishMiss Shqipëria 2002 nga Durrësi, sot 31 vjeç, ka vendosur të shkëputet nga muzika për t’iu përkushtuar familjes, biznesit të veshjeve dhe profesionit të arkitekturës për të të cilën është diplomuar. Ajo tashmë është nëna e një vajze nga lidhja e gjatë me partnerin biznesmen, Klodian Asllani, ndërkohë që ka deklaruar se do e zgjerojë familjen me një fëmijë tjetër, së shpejti.

NGA HELIKOPTERËT TE TANKU DHE ARMËT E ZJARRIT, KLIPI QË HAPI LUFTËN MES POLITIKAVE

“I kom” titullohet klipi i Zaimina Vasjarit, që rindezi pas gjashtë vitesh luftën mes politikanëve të rëndësishëm të piacës shqiptare. Publikimi i tij daton më 31 maj të vitit 2013 dhe në skenat e tij, Zaimina bëri revolucion, pasi për herë të parë u shfaq si një ushtarake seksi, që kishte gjithë armët për të kapur rob apo shantazhuar “ushtarin” e saj të zemrës.

E veshur me uniformën e Ushtrisë Shqiptare dhe me kasketën në kokë, ajo e nis nga fluturimi në ajër me helikopterë për të pushtuar tokën sipër një tanku, e për t’u shfaqur tejet e rrezikshme me armë zjarri në duar, të cilat ia vendos në kokë si një profesioniste armësh, pengut të saj. Në skenat hyrëse të klipit shihen në fluturim dy helikopterët e Ushtrisë, për të cilët flet Bamir Topi në librin e tij. Kënga, një krijim i Ernest Dukës (Stine), është një produksion i “Max Production”.

Në vargjet e këngës ajo i drejtohet të dashurit tradhtar se: “Nëse ke dëshirë të fundit, fol më shpejt se s’kam kohë. I kom, i kom për ty të gjitha plumbat”. Klipi në atë kohë u komentua pikërisht për helikopterët dhe artilerinë e rëndë që u pa në skenat e klipit, sa dukej se gjithë Ushtria ishte vendosur në shërbim të Zaimina Vasjarit./Panorama