.

Iluzionet e Bashës pas protestës së parë paqësore

Carlo Bollino
Duke qenë se jemi mësuar me dhunën, e cila prej muajit shkurt shoqëron të gjitha protestat e opozitës, të shohësh për herë të parë te shtunën në mbrëmje një miting në shesh që u mbyll pa bomba molotov dhe pa dëme, të bën te bërtasësh: “Mrekulli!”. Dhe madje ndokush e ka gjykuar si një fitore të Bashës. Po fitore kundër kujt?

Qetësia me të cilën u zhvillua protesta e gjashtë kombëtare e organizuar nga Basha dhe Kryemadhi duket me tepër një zgjedhje taktike se sa një strategji e re. Me nxitimin e tij prej të moshuari, Sali Berisha u ngut që ta saktësonte menjëherë këtë. Pyetjes të një gazetareje se si e gjykonte qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar që e ka denoncuar me forcë çdo akt dhune, doktori iu përgjigj i kënaqur:’Kryetari i opozitës ka dhënë përgjigjen më të ndershme dhe më të drejtë dhe unë e mbështes përgjigjen e tij”.

Me pak fjalë ndalimi i dhunës është kompromisi që Basha ka vendosur të bëjë me faktorin ndërkombëtar, i cili ka disa javë që bën thirrje në këtë drejtim. Tani është e qartë se pret diçka në këmbim. Por çfarë? Edhe pse ka theksuar (e bëri edhe dje) se kërkon një zgjidhje politike, Basha përsërit pa pushim se nuk ka dialog për sa kohë Edi Rama është kryeministër. Refuzimi i tij për të nisur një negocim pa kushte të propozuar nga dy deputetë gjermanë (jo nga Bundestagu), të cilët gjithashtu nuk e kishin përjashtuar mundësinë për ta shtyrë datën e 30 qershorit për zgjedhjet lokale, u shoqërua nga heqja dorë të paktën për një herë e dhunës në shesh.

Të protestosh pa dhunë është një kthim në normalitet, jo një lëshim. Por në humbjen totale të arsyes që e karakterizon prej muajsh opozitën, ka shumë mundësi që Basha të presë një ndërhyrje ndërkombëtare që ta shtyjë Ramën që të japë dorëheqjen.

Por çfarë do të ndodhë kur të zgjohet nga iluzioni dhe të vërë re se në realitet nuk ka ndryshuar asgjë?

Në fakt, nëse ndërkohë dy deputetë gjermane i dhanë Bashës mundësinë për të ridiskutuar datën e zgjedhjeve duke shfaqur shqetësime demokratike përballë votimeve ku të mos marrë pjesë e gjithë opozita, nuk duhet harruar se komuniteti ndërkombëtar (përfshi Gjermaninë) ka dalë njëzëri përkrah Ramës duke i konsideruar atë dhe qeverinë e tij plotësisht legjitimë. Të pretendosh qe të detyrosh një shumicë që të japë dorëheqjen vetëm sepse e kërkon pakica, në demokraci është horror. Dhe kjo në fakt ndodh vetëm në grushtet e shteteve. Tani që ka dëshmuar se është plotësisht në gjendje qe ta komandojë “zemërimin popullor” dhe se në të vërtetë dhuna është planifikuar gjithnjë nga organizatorët e protestave, Basha ama ka humbur të vetmen armë presioni që ka pasur deri tani për të shkundur indiferencën diplomatike. Në fakt, tani po të kthehet te bombat molotov do ta ketë shumë të vështirë ta bëjë pa marrë një përgjegjësi të rëndë personale.

Pasi dështoi në tentativën për t’i shndërruar mitingjet në revoltë popullore pasi as elektorati i PD-së nuk e ndjek kompakt në kthesën e tij ekstremiste, dhe pasi e ka kuptuar se komuniteti ndërkombëtar vazhdon ta shohë betejën e tij si një betejë thjesht për pushtet, dilema e re që ka përballe Lulzim Basha është e qartë.

Nëse nuk përdor dhunën diplomacia ndërkombëtare e injoron, por nëse përdor dhunën e izolon. Si i bëhet?

Mes molotovëve dhe balonave fluturuese, i takon atij të vendosë se cili lloj zjarri është më i mirë.