.

URDHRI/ Nga protestat te kanabisi, zbardhen 4 kërkesat e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, përmes një urdhri, kërkon që është efektivët e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike, të deklarojnë se në objektet që kanë në ruajtje, tokat që kanë në pronësi apo me qira, nuk ka të kultivuara bimë narkotike. Madje, afati i fundit për raportimin e rasteve ishte dje.

Tashmë u mbetet titullarëve të tyre që të japin shpjegime në rast se nga sot e në vazhdim do të konstatohen bimë narkotike të kultivuara. Urdhri i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, mbi vetëdeklarimin e titullarëve të subjekteve të Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike, u drejtohet të gjitha Drejtorive Vendore të Policisë.

Në zbatim të planit kombëtar të veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike 2017-2020, planit të veprimit të Policisë së Shtetit, datë 01.02.2019, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2019, Ardi Veliu kërkon vetëdeklarimin nga ana e SHPSF-ve.

KERKESAT

Kërkesa e parë e urdhrit të Ardi Veliut, që mban datën 21 maj 2019, lidhet me raportimet e kultivimit të drogës. “Deri ditën e premte, datë 24.05.2019, çdo subjekt i SHPSF-ve, që ushtron aktivitetin në juridiksionin e qarkut tuaj, të bëjë vetëdeklarimin, ku të deklarojë se në objektet që subjekti i tij ka në ruajtje, në tokat në pronësi të tij apo me qira, nuk ka të kultivuar bimë narkotike”, thuhet në shkresë.

Ndërsa në pikën e dytë sqarohet se policëve privatë u ndalohet pjesëmarrja në protesta. “Nga ana juaj, të qartësohen titullarët e subjekteve, drejtuesit teknikë dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF-ve se, ndalohet pjesëmarrja e tyre në protestat që organizohen në vend”, saktëson drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Në urdhrin e Ardi Veliut thuhet se ngarkohet Sektori i Rendit Publik dhe Policimit në Komunitet në Drejtoritë Vendore të Policisë, të bëjë kontrolle për zbatimin e kësaj detyre, si dhe të përgatisë vërtetimin e besueshmërisë për rivlerësimin e pastërtisë së figurës së titullarëve të subjekteve të SHPSF. Ndërsa për rastet që do të evidentohen me probleme, të propozohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për heqjen e licencës së subjektit të SHPSF.

URDHRI

1. Deri ditën e premte, datë 24.05.2019, çdo subjekt i SHPSF-ve, që ushtron aktivitetin në juridiksionin e qarkut tuaj, të bëjë vetëdeklarimin, ku të deklarojë se në objektet që subjekti i tij ka në ruajtje, në tokat në pronësi të tij apo me qira, nuk ka të kultivuar bimë narkotike.

2. Nga ana juaj, të qartësohen titullarët e subjekteve, drejtuesit teknikë dhe punonjësit e shërbimit të SHPSF se, ndalohet pjesëmarrja e tyre në protestat që organizohen në vend.

3. Ngarkohet Sektori i Rendit Publik dhe Policimit në Komunitet në Drejtoritë Vendore të Policisë të bëjë kontrolle për zbatimin e kësaj detyre, si dhe të përgatisë vërtetimin e besueshmërisë për rivlerësimin e pastërtisë së figurës së titullarëve të subjekteve të SHPSF.

4. Për rastet që do të evidentohen me probleme, të propozohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për heqjen e licencës së subjektit të SHPSF.

PANORAMA