.

“Trajnerët nuk dinë sa peshon një top”, legjenda Jani Kaçi: Njerëz pa lidhje po shkallmojnë të rinjtë…

 

Jani Kaçi gjithë karrierën e tij ka qenë portier, por kur vendos të “vishet” si sulmues, mund të shkaktojë tron ditje të forta. Ai ngre alarmin se futbolli dhe sporti në tërësi nuk janë në rrugën e duhur dhe treguesi më i mirë sipas legjendës korçare janë shkallët e stadiumeve bosh.
“Njerëzit nuk janë budallenj. Kur ka cilësi dhe ndershmëri, stadiumet janë plot”, thotë Kaçi për “Panorama Sport”. Ishfutbollisti i shquar i Kombëtares lëshon sinjale të forta edhe për Tiranën. “Kam dëgjuar që duan ta rrëzojnë Tiranën se kanë interesa për të ndërtuar kulla. Nëse kjo është e vërtetë, i bie që kemi prekur fundin”, thotë Jani Kaçi.

Si ju duk ky sezon?

Futbolli për aq kohë sa shkallët janë bosh, atëherë merre me mend se çfarë futbolli është…

Pse janë shkallët bosh?

Shkallët bosh janë se nuk ka cilësi. Cilësia më pas vjen nga mungesa e organizimit. Ja, po ju them se para pak ditësh po bisedoja me një shok dhe e pyeta: ‘Si ka mundësi që të ngjallet nostalgjia e para shumë viteve vetëm sepse sot nuk ka organizim…? Si ka mundësi more që në atë kohë kishte më shumë organizim…?’

Çfarë gjërash keni dëgjuar?

Kam dëgjuar që duan ta rrëzojnë Tiranën se kanë interesa për të ndërtuar kulla. Nëse kjo është e vërtetë, i bie që kemi prekur fundin. Por, çfarë nuk pret nga këta. Këta nuk kanë turp, sepse për një plesht djegin jorganin… Ne dikur kemi pasur 20 lloje sportesh në Korçë, ndërsa sot nuk ke më kaq larmishmëri. Unë këtu pashë një sportist, një djalë me dhjetëra medalje në qafë, por i paevidentuar. Pse? Sepse nuk ka shef klubi këtu. Shefi i klubit ka hotele, ka kopshte, ka biznese, por nuk e ka mendjen te sporti. E pse ndodh kjo? Sepse e ka vendosur politika aty ku është. Tani kanë filluar të lëvizin, por jo për sportin, thjesht për të mbledhur njerëzit në mitingje. Asnjë nga këta nuk duan t’ia dinë për sportin. Fare. Por sportin i bie mendja vetëm atij që i ka dhembur kurrizi, ndërsa këtyre nuk u bie në mend dhe kjo është fatkeqësi e madhe. Shoh disa fytyra në ekrane që dalin e flasin për sportin që nuk i njoh hiç, as ata nuk më njohin mua dhe shokët e mi që janë marrë me sport. Ja, në këtë pikë kemi arritur. Kur shkoj ndonjëherë në evenimente sportive më pyesin: “Po ti çfarë je?”

Po, mirë jo të gjitha stadiumet janë bosh. Ka plot në Shqipëri kur tifozët shkojnë…

Po mua nuk më duket kështu. Ja, shikoj Skënderbeun e qytetit tim. Luajti me Kukësin, stadiumi ishte bosh. Luajti me Teutën, stadiumi ishte bosh. Nëse doni raste të tjera, ju jap plot. Kam një djalë që luan në Greqi, edhe kur sheh fotot e dikurshme në stadiumet tona më thotë: “Ore baba, njerëz të vërtetë janë këta? – Po, i them, njerëz të vërtetë janë. – Po tani pse nuk ka kaq tifozë në Shqipëri? – Sepse nuk keni nivel juve të rinjtë, ndaj nuk mbushen, i them unë…” (qesh).

Ku qëndron problemi?

Nis që tek akademitë. Vijnë lojtarë që mund të kenë talent, por janë fare të painformuar për ligjet dhe rregullat bazë të futbollit. I pyes dhe u kërkoj të më thonë rregulloren e futbollit, nisin të më flasin për shtylla, rrjeta, porta. Nuk ia kanë haberin hiç për rregulloret. Por, nuk është vetëm ky problemi. Ne i kemi edhe trajnerët keq. Pyeta dikë një ditë, një trajner nga këta që kanë marrë licencën tani… I thashë: “Sa peshon një top standard i futbollit?” U mendua dhe përgjigjja ishte: “3 kile”. “Po nuk të vjen turp?!” i thashë… Ja kështu jemi katandisur. Pra, si mund të kesh akademi futbolli, kur t’i nuk u mëson njëherë atyre fëmijëve rregulloren e futbollit. Duhet të dinë gjërat bazë, qoftë edhe përmasat e fushës, etj. Asgjë mo, hiç fare. Ne dikur kishim trajnerë që edhe kur duhet të na mësonin sesi të gjuanim topin me “trinë”, fillimisht na e bënin këtë në teori, duke na mësuar si të mbanim trupin, krahët, etj. dhe pastaj na vendosnin ta ekzekutonim këtë në praktikë. Tani këta shikojnë skuadrën e parë që bën “skip”, u bëjnë edhe fëmijëve të njëjtat ushtrime dhe i shkallmojnë nga brinjët.