.

Thirrja për dialog, Salianji: Jo me Ramën kryeministër! Të gjithë e dinë që s’mund të ketë zgjedhje më 30 qershor

 

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, duke komentuar letrën publike të kreut të qeverisë ndaj liderit të opozitës, Lulzim Basha për t’u ulur në dialog, tha se qëndrimi i PD-së është i qartë që nga fillimi; s’mund të ketë dialog me Ramën kryeministër.
Ai theksoi se data 30 qershor është e ezauruar për zhvillimin e zgjedhjeve dhe se këtë e dinë edhe socialistët.

“Nuk ka diskutim që ne kemi një qëndrim të qartë politik që nuk mund të kemi dialog me Ramën kryeministër. Data 30 qershor sot është e ezauruar. Këtë edhe socialistët e dinë. Tërheqja mbrohet në kontekstin se cilat janë zgjidhjet për qytetarin shqiptar. Nuk mund të negociosh zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Opozita i ka bërë tërheqjen e saj me kohë. Opozita i ka ezauruar të gjitha opsionet. Pa diskutim nuk do të ketë një zgjidhje me Ramën kryeministër”, u shpreh ai në Vizion Plus.

I pyetur për protestën e së shtunës, Salianji u shpreh se opozita nuk ka bërë thirrje asnjëherë për akte dhune. “Ne nuk kam pasur asnjëherë në program që të ketë protesta me molotov. Nëse do të kishte organizim të tillë do të kishim kaluar shumë shpejt gardhin. Ne kemi bërë thirrje vetëm për protesta paqësore. Ne nuk jemi profet që të kontrollojmë mllefin e qytetarëve. Këto janë akte që vijnë në mënyrë të natyrshme dhe jo të organizuara nga ana e Partisë Demokratike. Ne kemi bërë thirrje për protestë paqësore. PD nuk bën thirrje asnjëherë për dhunë”, u shpreh ai.